Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re me partnerët tjerë të koalicionit të mërkurën hapën fushatën zgjedhore të 11 qershorit në nëndegët e qytetit të Kamenicës, me ç’rast u tha se pjesëmarrja masive e qytetarëve dëshmon përcaktimin e tyre për zgjedhjet nacionale dhe për ofertën e koalicionit duke u bërë bashkë të vendosur që të ndëshkojnë “klanin pronto”.
Kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, njëherësh kandidat për deputetë në Kuvendin e Kosovës Shaip Surdulli, tha se Kamenicës dhe Kosovës i duhet një qeveri me duar të pastra, orientim të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe me vizion për një Kosovë evropiane dhe në shërbim të qytetarëve.
Ai vlerësoi lart kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti, duke theksuar se ka krijuar një qëndrueshmëri ekonomike për reformat fiskale dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.
Surdulli përmendi investimet kapitale në qeverisjen Mustafa, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës, por edhe sfidat që ballafaqohen qytetarët e të cilat në mandatin e ardhshëm me Kryeministrin Avdullah Hoti do të kenë prioritet të theksuar për zgjidhjen e tyre.
Kandidati tjetër i koalicionit nga radhët e AKR-së Satmifer Kryeziu, theksoi se LDK-AKR është një koalicion që do ta zhvillojë Kosovën, pasi alternative tjetër nuk ka.
“Jemi bërë bashkë që këtë shtet ta rikthejmë në binarë të zhvillimit dhe prosperimit drejt vlerave të vendeve demokratike sepse ne jemi koalicion i punës dhe jo fjalëve e premtimeve boshe”, tha ai.
Të pranishmëve për fjalë rasti ju drejtuan edhe kandidatët tjerë për deputetë me prejardhje nga Kamenica Hazir Borovci dhe Dardan Velijaj si dhe kryetari i AKR-së në Kamenicë Fatmir Matoshi, të cilët bënë thirrje të votohet lista e koalicionit LDK-AKR pasi është një listë me njerëz të ndershëm.