Lëvizja për Bashkim përmes një deklarate thotë se nuk do që të jetë pjesë e Qeverisë së ardhdhshme.
“Fatkeqësisht, për shkak të konstelacionit të forcave politike të krijuar nga rezultati zgjedhor dhe, mbi të gjitha, të pozicionimit të mbrapshtë të tyre, Kosova do ta ketë një qeveri të varur nga Lista Serbe. Kështu, pakicës serbe, përveç privilegjeve të padrejta juridike e politike që iu siguruan nga Pakoja e Ahtisarit dhe nga bisedimet e Brukselit, si dhuratë nga partitë shqiptare do t’iu jepet fuqi edhe më e madhe politike”, thuhet në arsyetimin e kësaj partie për mospjesëmarrje në Qeveri.
“Përderisa deri dje ata e kishin fuqinë të kushtëzonin çdo vendim të Kuvendit për ndryshime kushtetuese, prej nesër ata do ta kenë fuqinë të kushtëzojnë çdo vendim të qeverisë për çështje krejtësisht të zakonshme. Kjo situatë, për ne, është krejtësisht e papranueshme. Andaj, Lëvizja për Bashkim ka vendosur që, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re”, thuhet tutje në deklaratë.
Lëvizja për Bashkim, gjithashtu, ka vendosur që ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj./KosovaPress/