Rajon & Botë

Lavrov thotë se fajet për tensionet Rusi-Amerikë i ka Obama

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi i tij “do t’u përgjigjet ashpër veprimeve që e dëmtojnë”, duke iu referuar sanksioneve të reja të urdhëruara nga Shtetet e Bashkuara.

Rusisë i është kërkuar të mbyllë konsullatën e saj në San Francisco, si dhe përfaqësitë diplomatike në New York dhe Washington.

Lëvizja e fundit e Amerikës erdhi pas reduktimit nga Moska të stafit diplomatik amerikan në Rusi, me plot 755 persona në muajin korrik.

Por, Lavrov fajëson administratën Obama për nisjen e mosmarrëveshjeve diplomatike dhjetorin e vitit të kaluar.

Ish-presidenti amerikan përjashtoi 35 diplomatë rusë, si dhe mbylli dy përfaqësi ruse, për shkak të aneksimit nga Moska të Gadishullit të Krimesë nga Ukraina, por edhe për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane.

“Gjithçka nisi saktësisht me qëllimin për të minuar marrëdhëniet ruso-amerikane dhe për të penguar Trumpin të bëjë propozime konstruktive gjatë presidencës së tij”, tha Lavrov.

“U bë për t’ia bërë atij sa më të vështirë të ishte e mundshme të implementonte premtimet e tij zgjedhore për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë”.