Rajon & Botë

Lavrov: Rusia është e fuqishme t’i mbrojë interesat e saj

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov ka thënë sot se vendi i tij nuk kërkon konflikt me asnjë vend, por është në gjendje të ruajë interesat e veta.

Deklarata e shefit të diplomacisë ruse është bërë gjatë fjalimi të mbajtur në Konferencën e 53-të për Sigurinë që po mbahet në Mynih. Lavrov ka mbrojtur qëndrimin se zgjerimi i NATO-s në Evropë ka rritur tensionet dhe se për të ulur shqetësimet, Perëndimi duhet të nisë një dialog, si dhe bashkëpunimin në fushën ushtarake.

Lavrov në vijim ka thënë se mes NATO-s dhe Rusisë ka një marrëveshje të arritur në Paris para 20 vitesh dhe më pas një Deklaratë në Paris para 15 vitesh, në bazë të të cilëve duhet të kishte një zgjidhje të problemeve përmes respektit të ndërsjellë. Ai ka shtuar se kjo nuk ndodhi për shkak se NATO-ja është ende si një institucion i luftës së ftohtë.

Ndërkohë duke folur për marrëdhëniet Rusi-Perëndim, Lavrov u shpreh se Rusia nuk kërkon konflikt me asnjë, por është e fuqishme t’i mbrojë interesat e saj gjithmonë. “Parimi jonë kryesor është, të arrijmë në synimet tona përmes dialogut”, tha ai.

Duke folur për situatën në Ukrainë, Lavrov ka thënë se Rusia nuk ka ndërmend të heqë sanksionet kundër Perëndimit deri sa të plotësohen kushtet e vendosura në Minsk dhe ka shtuar se dëshirojnë gjithashtu të zgjerojnë marrëdhëniet bazuar në respekt të ndërsjellë edhe me SHBA-të./KosovaPress/