Hamburg – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në takimin vjetor të ministrave të jashtëm të OSBE-së mohoi “mitin për rrezikun rus”.
Ai akuzoi “luftënxitësit perëndimorë” se po destabilizojnë Evropën.
“Vetëm dialogu i të barabartëve do të krijojë atmosferën e nevojshme për një analizë objektive të aftësive ushtarake (ruse dhe perëndimore) në Evropë”, theksoi ai në një takim në Hamburg, raporton agjensia Beta.
“Hajde të shohim së bashku se çfarë kemi dhe e kujt ështe për secilin në hartën e Evropës. Ne besojmë se kjo analizë bindshëm do të tregojë se kërcënimi rus është mit dhe kush është kërcënimi real,” tha ai, duke iu referuar zgjerimit të NATO-s dhe vendosjes së trupave të tyre në lindje, që Moska e ka dënuar në mënyrë të përsëritur si një sulm mbi sigurinë e saj. “Duhet folur ndershëm në lidhje me shkakun e krizës nga emigrantët në Evropë e cila është rezultat i ndërhyrjes brutale në punët e brendshme të vendeve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, të cilat çuan në kaos, në terrorizëm”, tha Lavrov. Për konfliktin në lindje të Ukrainës, ai tha se Kievi ka zvogëluar përpjekjet e paqes duke refuzuar dialogun e drejtpërdrejtë me rebelët pro rus në Donbas.
Në kundërshtim me Lavrov, Pavlo Klimkin, kreu i diplomacisë ukrainase, kritikoi ashpër agresionin rus dhe përsëri bëri thirrje për policinë e armatosur të misionit të OSBE-së në zonën e konfliktit dhe të kufirit ruso-ukrainas. Gjermania, e cila këtë vit kryeson OSBE-në, organizatës që u krijua gjatë Luftës së Ftohtë, në mënyrë që të forcojë dialogun mes Lindjes dhe Perëndimit, vuri në dukje përkeqësimin e marrëdhënieve brenda institucionit.
“Shtyllat (OSBE) po shemben, toni në mes të Lindjes dhe Perëndimit po bëhet më i ashpër” tha ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
“Ne duhet të punojmë së bashku për t’iu përgjigjur sfidave të reja të terrorizmit, ekstremizmit, sulmeve kibernetike. Ne duhet të rikthejmë besimin e humbur”, përfundoi Steinmeier./Express/