Janë larguar sot edhe gjashtë familje tjera nga banesat e Ndërrmarrjes Publike Banesore. Largimi i tyre u bë me asistencë të Policisë së Kosovës pasi që banorët kishin refuzuar të largoheshin nga aty.
Nga NPB bëjnë me dije se tri familje janë larguar me vetdëshirë ndërsa tri tjera janë larguar sot.
Largimi i tyre u bë me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ndërsa gjatë javës së ardhshme nga këto banesa pritet që të largohen edhe gjashtë familje tjera nga banesat që konsiderohen se janë uzurpuar nga qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës që nga viti 1999.
Por largimin e tyre nga këto banesa e konsiderojnë të padrejtë banorët e larguar dhe ata që ende kanë mbetur aty, por që kanë vendim për t’u larguar.
Muhedin Muçolli, thotë se gjashtë familjet janë larguar në mënyrën më barbare që ekziston, e sipas tij kjo bëhet vetëm për përfitime personale të Shpend Ahmetit.
“Tash para disa minutash u larguan gjashtë familje në mënyrën më barbare që ekziston në shekullin e XXI. Pritet që në ditët në vijim të largohen të gjitha familjet. Deri më tani që 18 vite nuk e kemi gjetur titullarin e kësaj ndërtese, këto gjera bëhen për shkak të përfitimeve personale, si zakonisht të klanit të Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës, drejtorit të ndërmarrjes banesore Nexhat Kryeziut dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës. Këto gjëra bëhen veç për përfitime personale për asgjë tjetër”, tha Muçolli.
Edhe pse qysh nga viti 2008 banorët janë paralajmëruar se do të largohen, ata thonë se ende nuk kanë gjetur zgjidhje për t’u strehuar.
Pas largimit nga këto banesa për 18 vjet ata thonë se do të mbesin rrugëve.
“Jo asnjë. Të gjithë do të mbesim në rrugë”, tha Muçolli.
Nga Ndërmarrja Publike Banesore bëjnë të ditur se banorët janë lajmëruar me kohë se do të largohen, ndërsa ka thënë se më 10 korrik do të largohen edhe gjashtë familje tjera.
“Përmes njoftimeve të shumta banorët veç kanë qenë të njoftuar se ata do të largohen, do të thotë ky aktvendimi në bazë të cilit është bërë procedura përmbarimore është i vitit 2008, prej atëherë qytetarët kanë qenë të njoftuar që kanë me i liruar banesat herët ose vonë. Prandaj, edhe sot kanë qenë pak a shumë të përgatitur, tri prej banesave që janë liruar sot veç kanë qenë të zbrazëta kur kemi shkuar na për procedurën e largimit ndërsa tri të tjera më marrëveshje me ta me kamionët e përmbaruesit të cilët janë duke e bërë punën janë larguar gjësendet tjera që ata i kanë pasur aty”, tha Ahmetaj.
Sipas saj aksioni do të vazhdojë edhe javën e ardhshme dhe do të vazhdojë derisa të lirohen 130 banesat e uzurpuara.
“Gjithsej në Lamella SU-9/4 janë 130 banesa të cilat kanë qenë të uzurpuara, vjet janë liruar disa, sot janë liruar gjashtë, javën e ardhshme do të lirohen edhe gjashtë të tjera deri sa të bëhet lirimi i të gjitha këtyre banesave. Do të thotë 130 sa janë gjithsej”, tha Ahmetaj.
Me këtë rast zëdhënësja u bën thirrje të gjitha rasteve sociale që të drejtohen tek organet kompetente për zgjedhjen e çështjes së banimit.
Ndryshe që nga paslufta në lagjen “Dardania” banorë të ndryshëm kanë zënë banesat të cilat NPB pretendon se janë pronë e saj./kp