Aktuale

Lansohet fushata për arsim më të mirë në Kosovë

Fushata për arsim më të mirë në Kosovë është thirrje për veprime të reja në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ka për qëllim të aktivizojë të gjithë për përmirësim të arsimit.

Kështu u tha me rastin e lansimit të fushatës për arsim më të mirë në Kosovë nga MASHT, me moton “Arsimi në dorën tënde është edhe motoja e kësaj fushate”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, tha se ministria që ai drejton zotohet për ngritjen e kualitetit të arsimit për të gjithë në Kosovë.

“Ne kemi nxënësit më të mirë, Kosova ka rininë më të mirë. Ajo çka na mbetet është të kemi më pak fjalë dhe të marrim përgjegjësi. Rinia ka nevojë që të ketë një shans dhe të edukohet në frymën evropiane. Ne zotohemi të marrim përgjegjësi për të pasur arsimin prioritet, pasi vetëm së bashku mund t’iu ofrojmë fëmijëve një arsim më të mirë”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka përkujtuar se edhe vendi i tij para 15 vjetësh ka pasur testimin e Pisa, i cili nuk ka dhënë rezultate të mira dhe ishte dashur të bëhej shumë punë për ngritjen e nivelit të arsimit.

“Ai rezultat na tregoi se duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të përmirësuar arsimin”, u shpreh diplomati gjerman.

Brandao Co, shef i Zyrës së UNICEF-it për Kosovë, tha se përmes kësaj fushate kërkohet për veprime të reja në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe se fushata synon të aktivizojë të gjithë për përmirësim të arsimit”, është shprehuri ai./kp