Aktuale

Lansohen dy sulme kundër Kosovës në mediat e Vuçiq

Sot gjatë ditës mediat serbe kanë lansuar dy lajme të rreme kundër Kosovës. Një që Përfaqësuesja e Lartë e BE’së Federica Mogherini ka lëshuar takimin me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe një tjetër që Guinea Bisau ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Serbia ka nisur një ofensivë të re kundër Kosovës. Sot Kryeministri Ramush Haradinaj dhe delegacioni kosovar kanë qëndruar në Bruksel ku kanë zhvilluar një takim me zyrtarë të lartë europianë.

Mediat serbe si RTS, Tanjug kanë raportuar se Mogherini e ka lëshuar e nervozuar takimin pasi Ramush Hradinaj ka kërkuar prani më të madhe amerikane në bisedimet Prishtinë –Beograd. Natyrisht, për këtë, Tanjug është thirrur në “burimet” e veta në Bruksel.

Një lajm tjetër i cili është vështirë të konfirmohet është lajmi se Guinea Bissau e ka tërhequr njohjen e Kosovës. Kryeministri i këtij shteti është duke qëndruar në Beogradi ku ka zhvilluar takime me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në njoftimin për media nga Presidenca e Serbisë nuk thuhet se Guinea ka tërhequr njohjen.

Aty theksohet se “dy bashkëbiseduesit kanë folur për Kosovën dhe Metohinë dhe për ruajtijen e integritetit të Republikës së Serbisë”.

Sido që të jetë në mediat serbe thuhet se zyrtari i Guinesë deklaratën për Kosovën e ka bërë në konferencën për media, por një deklaratë e tillë ende s’është publikuar. Sipas MPJ’së së Kosovës Guinea Bissau është vendi i 74’të që e ka njohur Kosovën. këtë vendim e ka marrë në vitin 2011.