Rajon & Botë

Lansimi i raketës balistike nga Koreja e Veriut, reagon Kina

Kina: S’do të lejomë luftë dhe kaos në pragun e vendit tonë

Lansimi i raketës balistike nga regjimi i Kim Jong-un në territorin e Japonisë, ka rritur ndjeshëm tensionet mes Koresë Veriore, Japonisë, Koresë Jugore, SHBA-ve dhe Kinës.

Në lidhje me situatën e krijuar ka reaguar edhe Kina, e cila kërkon shmangien e një lufte me Korenë Veriore, transmeton portali arbresh.info

“Kina nuk do të lejojë fillimin e një lufte dhe kaosi në pragun e saj”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes në Kinë, Ren Guoqiang, gjatë një konference për shtyp, pasi u pyet mbi tensionet në gadishullin Korean.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme kineze tha se ‘situata në gadishullin Korean është serioze dhe nuk është një lojë kompjuterike’.

Zëdhënësja Hua Chunying, gjatë një konference për shtyp u pyet edhe për mundësinë e sanksioneve të reja drejt Koresë Veriore.

“Është për keqardhje që disa vende zbatuan sanksione dhe anashkaluan kërkesat e rezolutës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dialog”, tha ajo.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, përmes një postimi në mediet sociale ka theksuar se ‘nuk ka dialog me Korenë Veriore’, megjithatë ende nuk janë dhënë detaje se cilat janë opsionet e SHBA-ve për stabilizimin e situatës me regjimin e Kim Jong-un./arbresh.info