Aktuale

LAA: PAN ka bllokuar konstituimin e Kuvendit

Koalicioni PAN ka bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të mos shfrytëzimit të së drejtës ekskluzive për të kandiduar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kjo është një nga pesë konkluzionet e nxjerra nga diskutimi i partive politike dhe ekspertëve lidhur me bllokadën e krijuar në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, diskutim ky i thirrur nga grupi parlamentar LAA.

Aty u theksua edhe nevoja për ndryshime kushtetuese e zgjedhore në mënyrë të shmangies së krizave të tilla në të ardhmen, si dhe të analizohen mundësitë procedurale për referim në Gjykatë Kushtetuese për sqarime shtesë nëse mosshfrytëzimi i një të drejte duhet të konsumohet apo jo.

Nga grupi parlamentar LAA, Driton Selmanaj, në përfundim të diskutimit paraqiti të gjitha rekomandimet që u potencuan nga pjesëmarrësit.

“Koalicioni i PDK-së ka bllokuar konstituimin e kuvendit për shkak të mos shfrytëzimit të së drejtës ekskluzive për të kandiduar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Përkundër dilemave të interpretimit të aktgjykimit të gjykatës kushtetuese respektimi i këtij vendimi është i pa alternativë. Tre, mos themelimi i institucioneve ka pasoja në të gjitha sferat ekonomike dhe politike në vend, pasojat ekonomike si në vijim humbja e 15 milion eurove nga fondi monetar ndërkombëtar, rrezikojmë të humbim edhe 75 milion të tjera fonde të BE-së, mungesa e rishikimit të buxhetit pengesë serioze për zbatimin e projekteve, rishikimi i legjislacioneve në fushën e ekonomisë, mungesa e mjeteve për pensionet e veteranëve, mungesa e stabilitetit politik mesazh i keq për investitorët potencial. Katër, të analizohen mundësitë procedurale për referim në gjykatë kushtetuese për sqarime shtesë se mos shfry tëzimi i një të drejte konsumohet apo jo. Pesë, nevojë imperativë për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore me qëllim të shmangies së krizave të tilla në të ardhmen”, tha ai.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LAA, Avdullah Hoti, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur në ditën kur është dashur të propozohet kryetari i Kuvendit. Ai e ka quajtur jo kushtetues kërkesën e PAN që të votohen në një pako kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri.

“Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN tregon mungesën e maturisë politike të një spektri politik në Kosovë karshi qytetarëve të Kosovës dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtar… Qëllimi i tryezës është që të debatojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur për dy çështje. E para që në afat të shkurtër të shohim se si mund të zhbllokohet themelimi i institucioneve të vendit dhe e dyta besoj se kjo nga tryezë duhet nisë dhe të formalizohet diskutimi substancial për të ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për të ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, tha ai.

Deputeti nga radhët e LAA, Armend Zemaj, ka theksuar se përkundër faktit që Kushtetuta e rregullon shprehimisht mënyrën e konstituimit të Kuvendit, është hera e dytë që vendi po ballafaqohet me bllokada dhe kriza të shkaktuara nga pozicionimet politike.

“Bojkotimi i seancës konstituive duhet të gjejë interpretim kushtetues duke ju referuar pikës 127 të vendimit të gjykatës kushtetuese për kryeparlamentar e cila ju njeh të drejtën dhe obligon të gjithë deputetët e Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me dispozitat kushtetuese në harmoni me rregulloren e punës, por pa sqaruar përfundimin e kësaj detyre dhe pasojat e obligimeve të dhëna”, tha ai.

Ndërsa, të qëllimshme i ka quajtur sjelljet e PAN-it karshi situatës politike, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili tha se fakti se seanca konstituive është thirrur 5 herë me radhë, dëshmon papërgjegjësinë e një grupi parlamentar që nuk është në nivelin e përgjegjësisë publike sipas Kushtetutës.

Për atë se PAN nuk po dëshiron të marrë pjesë në seancë, Konjufca tha se meqenëse ata e kanë bërë betimin si deputetë të Republikës të Kosovës, ata duhet të marrin edhe përgjegjësinë që iu takon.

“Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kërkojmë prej PAN-it, deputetëve që e kanë bërë betimin në Kuvend të Republikës së Kosovës, përgjegjësin publike, që ata të marrin pjesë sa më shpejtë në seancë dhe të mos bëhen shkaktarë të kësaj bllokade të cilën ata po e bëjnë me qëllim”, tha Konjufca.

Kurse, sa i përket dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të çështjes për të sqaruar të drejtën e koalicionit PAN për të propozuar kryetarin e Kuvendit, deputeti nga LVV, Glakuk Konjufca është shprehur se nuk i konvenon vendit që kjo punë të pres me ditë të tëra pastaj trajtimin nga Gjykata, pasi që PAN mund të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë punën deri në fund të muajit shtator.

Ndryshe mendon analisti Ramush Tahiri, i cili është shprehur pro dërgimit të lëndës në Gjykatë Kushtetuese. Sipas tij, nuk prolongon Gjykata Kushtetuese pasi që nëse PAN ndërron mendje dhe konstituohen organet, lënda bie në gjykatë.

“E para është pasi nuk tregohet vullnet, lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka zgjidhje tjetër. Në këtë moment nuk ka zgjidhje tjetër, i vetmi është autoriteti i Gjykatës Kushtetuese që është mbi palët dhe që krijon hapësirë juridike për gjetjen e zgjidhjeve. A e prolongon Gjykata Kushtuese, për mendimin tim nuk e prolongon sepse vepron si çdo gjykatë tjetër. Në momentin që gjendet zgjidhja, ani që lënda është në Gjykatë Kushtetuese dhe ka vullnet, lënda është e paqenë, mundet me funksionuar dhe nuk pengon asgjë”, tha Tahiri.

Ai ka propozuar edhe një zgjidhje tjetër e që është një qeveri gjithëpërfshirëse e cila mund të jetë e formuar edhe nga kuadra të shoqërisë civile. Por që ai nuk ka përjashtuar edhe mundësinë për zgjedhje të përgjithshme si rruga e fundit për të dal nga kriza.

Në këtë takim është diskutuar edhe për implikimet ekonomike dhe sociale të vonesës së themelimit të institucioneve. Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo krizë politike shumë shpejt do të përkthehet në derën e secilit qytetarë të Republikës me probleme që po i shkakton kjo krizë. Po ashtu, ajo tha se mos konstituimi i Kuvendit dhe themelimi i Qeverisë i ka kushtuar Kosovës me humbjen e 15 milionë eurove pas skadimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Me 4 gusht Kosovës i ka skaduar afati i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me 4 gusht rrjedhimisht Kosova ka humbur 15 milion euro të kredisë së negociuar në vitin 2015 vlera e të cilës ishte 185 milion euro, mjete këto të cilat nuk kanë mundur të realizohen si rrjedhojë e mos konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë që do të duhej të ishte e dal nga zgjedhjet e 11 qershorit. Por, këto 15 milion euro nuk janë të vetmet mjete të cilat Kosova i ka humbur me 4 gusht. Kosova rrezikon ti humb edhe 75 milion euro të cilat si parakusht kryesor e kanë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha ajo.

Në këtë tryezë diskutimi të thirrur nga LAA nuk ishte ftuar koalicioni PAN./M.Duraku ./kp