Aktuale

LAA nuk merr pjesë në seancat e ardhshme

Koalicioni LAA nuk do të marrë pjesë më në asnjë seancë që thirret, pa e ditur mirë se si do të formohen institucionet e vendit. Këtë qëndrim e ka dhënë shefi i grupit parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, në të cilën drejtoi akuza ndaj koalicionit PAN dhe Vetëvendosje. Derisa, qeveria e ardhshme, sipas tij, duhet të jetë pa PDK-në.

Sipas Hotit, dy individë po e mbajnë peng themelimin e Kuvendit dhe Qeverisë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se rruga që këta të dy po ndjekin për të ardhur në krye të këtyre dy institucioneve është rruga e pazareve të ulëta politike dhe rruga e presionin.

Shefi i deputetëve të koalicionit LAA, tha se ata duhen ta kenë të qartë se me veprimet e tyre për të bllokuar institucionet e vendit, po shkelin vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Ne nuk marrim pjesë më në asnjë seancë të tillë çfarë ishte kjo e sotmja. Një grupim politik që përfshinë PDK-në, AAK-në dhe Nismën, i ka varur shpresat në formimin e qeverisë në vullnetin e disa matrapazëve që po punojnë në bindjen e disa deputetëve për të votuar koalicionin PAN. Kjo është fatkeqësi për vendin dhe për këto forca politike. Kështu nuk bëhet shteti, shteti bëhet me përkushtim e vullnet, institucionet bëhen me marrëveshje në mes të forcave politike. Nëse kjo marrëveshje nuk mund të arrihet, i pari që ka dalë në zgjedhje lëshon rrugë në mënyrë demokratike. Rrugë tjetër nuk ka për themelimin e institucioneve”, tha Hoti.

Hoti shtoi se seanca e sotme nuk guxon të përsëritet dhe foltorja e Kuvendit të përdoret për qëllime të fyerjeve, siç ndodhi sot mes Veselit e Kurtit.

Shefi i deputetëve të koalicionit LAA, akuzoi Vetëvendosjen se mandatin e kaluar sulmoi fizikisht kryeministrin Mustafa, derisa tash po koketon me PDK-në.

“Vetëvendosje në mandatin e kaluar shkoi shumë larg duke sulmuar kryeministrin fizikisht, duke ia rrezikuar jetën atij, familjes së tij dhe stafit të tij përcjellës. Asnjë Qeveri, nga viti 1999 nuk ka qenë më shumë e sulmuar nga opozita se sa Qeveria Mustafa. Kjo për faktin e thjeshtë se asnjë Qeveri nuk ka punuar më shumë se Qeveria Mustafa. Në dy vite e gjysmë, Vetëvendosje ka dëshmuar se nuk zgjedh mjete për të ardhur në pushtet. Veprimet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës ishin të papenguara apo të ndihmuara nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit Veseli. Ai ka koketuar me ta atëherë dhe po bënë edhe tash. Bashkëpunimi i tyre u pa në votimin për rrëzimin e Qeverisë, kur PDK u bë bashkë me Vetëvendosjen dhe AAK-në e Nismën”, u shpreh Hoti.

Madje sipas Hotit, Kurti moralizoi sot në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk duan bashkëpunim me LDK-në. Ai shtoi se si mund të bashkëpunojë me VV-në kur kanë dërguar 70 dosje në prokurori, derisa sot janë po të njëjtit njerëz me të cilët po kërkon bashkëpunim.

“Vetëvendosje dhe Albin Kurti sot moralizuan në Kuvend. Ata duan koalicion me LDK-në, por nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me LDK-në siç kërkohet. Rruga e vetme e bashkëpunimit me ne shkon përmes deklarimit për sulmet e shpifjet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Si mund të bashkëpunojnë me ne kur kanë dërguar 70 dosje në prokurori? A jemi të njëjtit njerëz që tash po kërkojnë të bashkëpunojmë? Duhet të kenë dinjitetin e nevojshëm dhe të deklarojnë se ato veprime kanë qenë me qëllim të ardhjes në pushtet”, shtoi ai.

Shefi i deputetëve të koalicionit LAA, tha se ata si LDK dhe koalicioni i tyre, janë të vendosur të mos lëshojnë rrugë për ata që duan të vijnë në pushtet përmes dhunës ose përmes shantazhit ndaj deputetëve.

Sipas Hotit, qytetarët e Kosovës të jenë të sigurtë se e vetmja Qeveri që mund të themelohet në Kosovës është Qeveria që përcaktohet nga LDK dhe që udhëhiqet nga LDK, pasi vetëm LDK mund t’i japë vendit Qeveri normale, që ka partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar, Qeveri që siguron integrime evropiane dhe zhvillim ekonomik, që lufton krimin e korrupsionin pakompromis. /kp