Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në mesazhin e tij të fundvitit, ka thënë se viti 2016 ishte vit i mundësive të reja për qytetarët e Kosovës, por edhe vit i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen evropiane të shtetit.
Urimi i plotë i presidentit Thaçi për fundvit:
Është kënaqësi t’ju drejtohem në natën e fundit të vitit me urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja.
Viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane.
Sonte derisa festojmë dhe urojmë njëri-tjetrin, kujtojmë edhe ata që janë në vendet e tyre të punës: policët, zjarrfikësit, mjekët, punëtorët, që kujdesen për ne të festojmë në rehati dhe qetësi.
Ata janë heronjtë e sotëm, sepse me shembullin e tyre tregojnë atë për çfarë shteti ynë ka nevojë më së shumti, që secili të kryejë punën e vet me nder e përgjegjësi.
Urime të veçanta edhe ushtarëve të FSK-së dhe diplomatëve tanë që sonte festojnë larg familjeve të tyre.
Duke u zotuar se do të punojmë edhe më shumë, se do ta duam edhe më shumë shtetin tonë, le të urojmë njëri-tjetrin me dëshirat më të mira për vitin 2017
Gëzuar