Aktuale

Ky është reagimi i MPJ-së pas sulmit ndaj autobusit me pasagjerë të Kosovës në Serbi

Të hënën në mbrëmje është sulmuar me gurë një autobus me udhëtarë kosovarë që po shkonin nga Kosova në Austri.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, e cila përmes një komunikate për media, shpreh shqetësimin e arsyeshëm për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike -burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Republikës së Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Evropës.

Siç thuhet në komunikatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht.

Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Po ashtu në njoftim thuhet se shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata.

“Lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane”.

“Ministria e Punëve të Jashtme thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave”.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë shtetit fqinj respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të Lirisë së Lëvizjes”. /Lajmi.net/