Aktuale

Ky është qëndrimi i VV-së për platformën e Veselit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me platformën ku kërkohet unitetet politik nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Në reagimin e VV-së thuhet se qëndrimi i kësaj partie është shprehur moti dhe se për dallim nga Veseli, VV-ja nuk i jep prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për ‘Zajednicën’ duke e lënë ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja.

“Letra ishte drejtuar Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Ai nuk është në Kosovë. Ndodhet në Sarajevë për një konferencë ndërkombëtare atje. Nuk besoj që do të mund të merret me këtë letër para se të kthehet. Sidoqoftë, qëndrimi i LV është shprehur moti, gjerë e gjatë për temat që i përmend Veseli. Për dallim prej tij, ne nuk i japim prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për ‘Zajednicë’ duke e lënë ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja. Mbi të gjitha, ne i japim prioritet zhvillimit ekonomik për prodhim e punësim dhe drejtësisë kundër krimit e korrupsionit”, thuhet në reagimin e VV-së.

Tutje në reagimin e VV-së thuhet se, duket qe letra e Veselit ka për qëllim kryesor që një presidenti kontravers si Thaçi t’ia sajojë përreth një ekip uniteti dhe kjo është gabim e dëm për Kosovën.