Kryesia e Kuvendit i ka proceduar Qeverisë së Kosovës, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
Ndërsa ka vendosur që vazhdimi i seancës plenare, të mbahet nesër. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se Kryesia e Kuvendit me një vendim unanim kanë proceduar projektligjin për FSK-së në Qeveri dhe presin që sa më shpejtë të kthehet në Kuvend dhe të procedohet më tutje.
“Sot me vendim unanim të Kryesisë së Kuvendit, në një atmosferë shumë të mirë e kemi proceduar Projektligjin për transformimin e FSK-së, në një forcë ushtarake në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe presim që sa më shpejt të procedojmë, të na kthehet ajo në Kuvend, në mënyrë që të përfundojmë diçka që na ka mbetur gjatë ende pa kryer si politikë“, tha ai.
Ndërsa i pyetur se a po bëhet kjo në koordinim me faktorët ndërkombëtar, Veseli tha se tash e 18 vjet çdo hap që është marrë, ka qenë në partneritet të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare.
Veseli: Çdo hap që marrim, e bëjmë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare
(video)
“Çdo hap që kemi ndërmarrë këto 18 vite është kontinuitet i partneritetit të fuqishëm me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Obligimet tona politike janë shumë të qarta dhe institucionale, të ecim drejtë forcimit të sovranitetit dhe partneritetit”, tha Veseli.
E i pyetur rreth deklarimeve të ish-kryetarit të Gjykatës Kushetuese Enver Hasani, sipas të cilit iniciativa e presidentit Thaçi, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, Veseli tha se më mirë është që të mendohet pozitivisht, pasi që qytetarët janë lodhur nga politika bllokuese dhe konfrontuese.
“Profesori është shumë i mençur dhe nuk kam asnjë koment më shumë. Në këtë vend të cilin jeni ju e ka nxjerr dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këta deputetë që janë të zgjedhurit e popullit do të marrin vendime që janë konform Kushtetutës. Dhe është mirë me çu mendjen ngapak kah pozitiviteti dhe vendimmarrja që i shërben vendit tonë dhe jo vetëm aty ku e bllokon çdo herë. Qytetarët tanë janë lodhë prej politikës bllokuese dhe konfrontuese. Po duan veprime konkrete që i prekin vet. Ky nuk do të jetë vendimi i parë keni parasysh në këtë drejtim. Do të jetë vendim shumë pragmatik. Si shtet i pavarur dhe sovran nuk ka dilema. Mos të tjerrin shumë kush po mundohet me tjerrë shumë. Partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare do të jetë i jashtëzakonshëm, me SHBA-të dhe me partnerët e NATO-s, të ecim përpara, kemi dhe shumë vendime tjera”, tha ai.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se partia të cilës i përket, do ta përkrah Projektligjin për FSK-në.
“ Tani e ka afatin një mujor qeveria që të kthej përgjigjen, ta procedoj ligjin prapë në kuvend. Mirëpo ne si aleancë, jemi për ushtri të Kosovës. Për ne është me rëndësi përmbajtja dhe fuqia apo ndryshimi i misionit komplet të FSK-së, që të jenë në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit dhe pajisja e tyre apo modernizimi i tyre si çdo ushtri në botë. Këtë do ta përkrahim fuqishëm dhe ne jemi në këtë linjë, që pa marrë parasysh kush e procedon. Nuk guxojmë ta politizojmë dhe të marr dikush meritat e veta për të formuar ushtri”, tha ai.
Lekaj po ashtu bëri të ditur se AAK në seancën e nesërme do ta inicojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës tha se do të kërkohet ndërprerja e bisedimeve me Beogradin, derisa të lirohet Ramush Haradinaj dhe të bëhet pastrimi i listave nga njerëz që janë akuzuar nga Beogradi pa të drejtë. E për këtë ai tha se deputetët do të jenë unik, për të votuar rezolutën në fjalë.
Ndërkaq shefi i GP të LDK-së Ismet Beqiri, tha se LDK është pro transformimit të FSK-së në ushtri, mirëpo me përkrahje të partnerëve strategjik të Kosovës, duke mos i rrezikuar raportet me ta. Ai tha se LDK do ta votojë Projektligjin kur të vie në Kuvend, duke besuar se presidenti i cili ka iniciuar atë, këtë po e bënë në bashkëpunim me partnerët strategjik.
“Duke besuar që në këtë rast presidenti këto i ka sqaruar dhe i bënë në kontakt dhe në bashkëpunim me partnerët strategjik, sigurisht që LDK, ne si deputet dhe s’besoj që s’mund të gjeni deputet i cili, flas i shumicës, e kem të qartë aktualisht lista serbe nuk e përkrah. Por të tjerët me gjeni një deputet i cili nuk përkrah formimin e FSK-së.. Nëse Projektligji vjen në Kuvend deputetët e LDK-së do ta votojnë. Do ta votojnë. Nuk ka ndonjë qëndrim tash për tash dhe s’dua të spekuloj rreth asaj se çfarë thonë partnerët strategjik, sepse projektligji është në procedurë. Unë nuk mund të them asgjë më tepër, përpos asaj që nesë vie Projektligji në Kuvend, ne do ta përkrahim, do ta votojmë. Por ne nuk marrim dhe nuk dëshirojmë me marrë përgjegjësi, në kuptimin e asaj të pengojmë në nxjerrjen e këtij projektligji. Por dhe të tjerët duhet marrë përgjegjësi për ruajtjen së bashku dhe me ne, veçmas nismëtarët për ruajtjen e partneritetit. Dëshiroj të besoj që këto janë sqaruar, ose do të sqarohen ditëve në vijim. Nuk guxojmë në asnjë rrethanë ta humbim mbështetjen dhe përkrahjen e partnerëve tanë strategjik”, tha ai.
Edhe Aida Dërguti nga VV tha se e përkrahin në parim Projektligjin për FSK-në, të cilin do ta shqyrtojnë në ndërkohë.
“Ne sapo e pamë këtë Projektligj. Unë thash në parim do ta mbështesim dhe do ta shqyrtojmë ndërkohë. Besoj se do ta përkrahim”, tha ajo.
Edhe Haxhi Shala nga Nisma tha se do ta mbështesin ligjin e FSK-së, e po ashtu dhe iniciativën e GP të AAK për nxjerrjen e rezolutës për ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin deri në lirimin e Haradinajt./KP