Me 33 për, 23 kundër, dhe 7 abstenime Kuvendi miratoi Raportin mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Shqipe Pantina nga VV tha se shërbimi civil vazhdon të jetë skajshmërisht i politizuar.
“Ne nuk mund ta votojmë pozitivisht këtë raport”, u shpreh Pantina.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se në procesin e rekrutimit dominon nepotizmi dhe politizimi.
“Jemi larg synimeve tona dhe standardëve të BE-së. Ka shkelje drastike sa i përket procesit të rekrutimit. Në sistemin e procesit ë rekrutimit dominon nepotizmi dhe politizimi i skajshëm. Ne jemi larg të asaj çka jemi zotuar si qeveri”, tha Lekaj.
E Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën tha se raporti pavarësisht disa lëvizjeve pozitive, ende nuk i plotëson kushtet për të marrë votat e deputetëve.
“ Edhe pse ka nuanca pozitive në raport me vitet e kaluara, ky raport nuk i plotëson kushtet me marre zotimin e deputeteve. Ka vazhdimësi shkelje në shërbimin civil. Nga papërgjegjësia e shërbyesve civil kemi dëmtim të buxhetit të shtetit. Ne do të votojmë kundër këtë raport”, tha Berisha.
Ndërsa Sabri Hamiti nga LDK-ja tha se gjendja në shërbimin civil nuk është e mirë, ku sipas tij, shteti është punësuesi kryesor. Ai hodhi kritika për numrin e madh të ministrive që sot ka ekzekutivi i vendit.
“Kjo i kap nivelet e pushteteve qendrore dhe komunat. Qeveria jonë i ka 21 ministri ka mund ti ketë 11. I ka dyfish zv ministra ose trefish për shkak të minoriteteve. Kuvendi nëse e shihni administratës edhe 1/3 me shku në pushim mund të funksionoj njësoj. Kjo i bjen mbipopullim”, tha ai.
Sipas tij sondazhet kanë treguar se në administratë njerëzit në Kosovë prej 8 orëve pune, rrinë 2 deri në 3 orë.
“Nuk është problemi ligji, por zbatimi. Sepse ligji do zbatim dhe të detyrimit të punonjësit dhe përgjegjësisë. Mendoj që tek ne në këtë sektor nuk është problem papunësia, por është problem koncepti i atij që është i punësuar, por është i papunë. Punësimet shkojnë aty ku nuk ka punë. Ky është slogan i përditshëm që thonë e ka gjet një punë që s’bënë gjë. Ne kemi shumë ngarkesa në ndërmarrje publike dhe shërbim civil”, u shpreh Hamiti./KosovaPress/