Aktuale

Kuvendi miratoi në parim projektligjin për Prishtinën

Me 67 vota për, një kundër dhe tetë abstenime, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar në parim Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, i cili në emër të Qeverisë paraqiti këtë projektligj, tha se Prishtina për herë të parë po trajtohet me ligj të veçantë, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm të kryeqytetit.

“Prishtina si kryeqytet për herë të parë do të trajtohet me ligj të veçantë, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të kryeqytetit të Republikës së Kosovës Prishtinës, andaj duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji të nderuar deputet ju ftoj ta votoni në parim këtë ligj”, tha ai.

E kryetari i komisionit funksional Nait Hasani tha se ky projektligj nuk i plotëson kërkesat e një kryeqyteti.

“Ky Projektligj në përgjithësi nuk i plotëson ato kërkesat për një kryeqytet të Republikës së Kosovës. Por ky projektligj i ka disa të meta që s’kanë mundur t’i përmirësojnë. Trajtimin e tij nuk është bërë ashtu si duhet plotësimi. Një nga gabimet që është bërë që ky projektligj s’është marrë si model nga ligjet e kryeqyteteve të ndryshme të Evropës dhe rajonit. Por është marrë bashkim modelesh të kryeqyteteve, të cilët e bëjnë jo funksional”, tha ai.

Ndërkaq deputetja e VV-së Shqipe Pantina falënderoi Qeverinë që më në fund e solli në Kuvend ligjin për kryeqytetin, një nga ligjet me të diskutuara dhe debatuara në publik.

“Dua të besoj që edhe diskutimi për përmbajtjen e projektligjit sot, do ta ketë parasysh interesin e qytetarëve të Prishtinës dhe jo kush e qeveris atë. Ndonëse unë i uroj kryetarit të rizgjedhur të Prishtinës, punë të mbarë. Ky projektligj në përgjithësi është i mirë dhe janë katër risi apo katër çështje që rregullon dhe janë të reja, e të cilat nuk i ka gëzuar kryeqyteti deri më tani. E para është ndarja e një grandi shtesë për 4 për qind nga grandi total për komuna. Ndonëse, mendoj se shuma duhet të diskutohet dhe për mendimin tim nuk është e mjaftueshme, megjithatë është më se e nevojshme dhe e drejtë që kryeqyteti të ketë një grand shtesë për të mundur të ofroj me cilësi shërbimet e nevojshme”, tha Pantina.

Ndërkaq deputeti nga radhët e AAK-së Rasim Selmanaj tha se ky nuk është projektligj politik, por për të mirën e qytetarëve të Prishtinës.

“Ky Projektligj dhe pse i vonuar por i domosdoshëm është i mirëpritur nga të gjithë, në veçanti nga qytetarët e Prishtinës. Asnjë parti politike e aq më pak Parlamenti i Republikës së Kosovës, duhet ta sheh këtë projektligj në prizmin se kush do ta udhëheqë sot Prishtinën, apo në të ardhmen. Ky projektligj, nuk është një projektligj politik, por është në të mirë të Prishtinës”, tha ai.

Ndërsa deputeti I LDK-së Lumir Abdixhiku tha se në thelb të zgjidhjes së problemeve të kryeqytetit është financimi. Ndërsa shtoi se granti prej 7 milionë euro, është i pamjaftueshëm.

“Në thelb të zgjidhjes së problemeve të kryeqytetit, është financimi. Dhe them të drejtën ligji sa do që bënë një përparim të lehtë nëpërmjet rritjes së grantit ose ndarjes së grantit të veçantë prej 4 për qind, prag minimal natyrisht është i pamjaftueshëm, sepse grati i përgjithshëm i komunave sot në buxhetin e Republikës është diku rreth 179 milionë euro në vit dhe i bie që 4 për qind e 179 milionë eurove në vit. Është jo më shumë sesa 7 milionë euro në vit, që po i shtohet Prishtinës. Pra, po i japim kompetenca, po i japim obligime të reja. Por me të gjitha problemet që po i theksojmë në Prishtinë me zgjidhje prej 7 milionë shtesë në buxhet, dorën në zemër është jo signifikante dhe e pa rëndësishme sado ku do që është pozitiv”, tha ai.

E deputeti i Nismës, Milaim Zeka tha se është turp që kryeqyteti nuk e ka ligjin deri tani.

“Këto debatet shpesh herë po bëhen hala po mendojmë që jemi në fushatë, është më së pari turp që nuk ekziston deri më sot ligji për kryeqytetin, për Prishtinën këtë është më mirë me e diskutuar pse nuk kemi pasur ligj deri më tani. Në emrin e grupit parlamentar të Nismës e mbështesim fuqishëm këtë ligj. Ma mirë të kemi një ligj të keq për kryeqytetin sesa të mos të kemi ligj fare. Dhe ky ligj nuk është bërë deri më tani, vetëm për shkak të inateve dhe ‘ndërkamcave’ politike”, tha ai.

Por pas fjalimit të Zekës, reagoi kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, i cili tha atij se tashmë portalet do të shkruajnë menjëherë për të.

“Faleminderit Milaim. Shpresoj portalet kanë me shkruar menjëherë çka the”, tha ai./KP