Aktuale

Kuvendi ende s’ka pranuar kërkesë për ndarje të Vetëvendosjes

Kuvendi i Kosovës nuk e ka pranuar kërkesën përmes së cilës raportohet se tashmë të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje do të krijojnë grup të vetëm Parlamentar. Kështu ka bërë të ditur për Express, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniq. Sipas tij, kur të ndodh një veprim i tillë, kërkesa do të publikohet në faqen zyrtare të Parlamentit.
Dhjetë deputetë të Vetëvendosjes, siç ka raportuar koha.net, e kanë dërguar këtë javë në administratën e Kuvendit kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

Grupi i të dorë hequrve, që ndryshe po njihet edhe si krahu i Molliqajt, tashmë ka ndarë mendjen për të bërë një grup të vetëm parlamentar. Por kjo mohohet nga sekretariati i Kuvendit. Të paktën atyre deri më tani kjo kërkesë ende nuk iu është adresuar.

“Lidhur me ceshtjen e ngritur, ne administrate nuk kem pranuar kerkese per grup te ri parlamentar, ne momentin qe pranojme e njejta do te publikohet ne eeb faqen e Kuvendit”, është shprehur ai.

Megjithatë, për këtë situatë, të enjten mbrëma u deklarua për Express edhe Faton Topalli, emri i të cilit thuhet se figuron në këtë listë.

Ai nuk ka dashur të jap shumë detaje për këtë, por ka pranuar se diçka ka ndodhur.

“Nuk mund të them po ose jo. Kjo edhe mund të ketë ndodhur. Por, unë nuk e di. Zyrtarisht nuk jam njoftuar ende. Por, kjo edhe do të ndodh ose mund të ketë ndodhur” , ka thënë Topalli për Express.

Lista e deputetëve që e kanë bërë kërkesën dhe do të ndahet nga VV-ja është:

1. Visar Ymeri2. Dardan Molliqaj3. Dardan Sejdiu4. Dukagjin Gorani5. Aida Dërguti6. Shqipe Pantina7. Faton Topalli8. Fisnik Ismaili9. Driton Caushi10. Donika Kadaj

Nëse kjo mbetet lista përfundimtare, Vetëvendosje do të mbetet me 22 deputetë në Kuvend dhe do ta humbasë primatin e grupit më të madh parlamentar.