Seanca e Kuvendit përfundoi pa miratimin e Rezolutës për UÇK-në. Kjo meqë pas eskalimit të situatës në sallën e Kuvendit ku u debatua për vlerat e UÇK-së, mbetën vetëm 57 deputetë, duke bërë të mos ketë kuorum të mjaftueshëm.
Kësaj situate i parapriu një situatë aspak e këndshme në mes të Glauk Konjfucës dhe Nuredin Lushtakut.
Ky i fundit tentoi të ketë konflikt fizik me Konjufcën kur ai po mbante fjalimin, pasi akuzoi Vetëvendosjen se është vetë ajo që ka deklaruar se ish pjesëtarët e UÇK-së janë kriminelë.
Për këtë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se askujt nuk është duke i interesuar për ushtarët e UÇK-së dhe se reagimet e tilla janë shumë të rënda.
Ai madje ka shtuar se nuk merr përgjegjësi për atë që mund të ndodh.
“Unë po mundohem të ju ruaj, por jeni duke nxitur situatën. E keni instaluar në Kuvend fjalën kriminel. Sido që të jetë, le ta dinë të gjithë përfshirë edhe familjet e juaja se taksirati vetë jeni duke e thirrë. Secili e bën për veti. Unë kom me u mundu me ju rujt, kom me u mundu me ditë kur mundet me ndodh e keqja dhe me e thirrë sigurimin, thjeshtë, por përbesë shumë e rëndë”, ka thënë Veseli.