Kryesia e Kuvendit sot në një mbledhje urgjente ka vendosur që nesër të mbahet seancë e jashtëzakonshme për të debatuar për vlerat e luftës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kryesia sot ka shqyrtuar një kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit për rastin “Drenica II”. Për të thirrur seancën e jashtëzakonshme me kërkesë për diskutim të kësaj pike, janë mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit, sipas procedurave të rregullta me ligj.
“Sot kemi pranuar një kërkesë të iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbështetur së paku nga 40 deputet, për ta thirrur një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar për zhvillimet e fundit me dënimin e ish ushtarëve çlirimtarë të Kosovës, dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit e kemi proceduar. Nesër do të kemi seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00”, tha Veseli.
Anëtarja e Kryesisë së Kuvendit, Aida Dërguti, nga radhët e Vetëvendosjes, tha se edhe pse sot ishte paraparë që të mbahej seancë e jashtëzakonshme me debat për vlerat e luftës, kjo do të mbahet nesër meqë ishte e pa mundur që deputetët të arrijnë sot me kohë për seancë.
Dërguti tha se për seancë të jashtëzakonshme janë mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve, prej të cilëve janë shumica të njëjtë që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Seanca e cila është menduar të thirret për sot ka të bëjë me një debat për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar pas dënimit të djeshëm të grupit të “Drenicës”. U dakorduam që kjo seancën të filloj nesër në orën 10:00, meqenëse është e pa mundur që deputetët të arrijnë sot me kohë në orët e vona. Ndërkohë që janë edhe duke u përgatitur për seancën e rregullt të nesërme për çështjet të cilat do të mbahen për ditën e nesërme dhe pasnesërme. Seanca e rregullt do të jetë shumë e gjatë për shkak të pikave që ka për diskutim… Janë mbledhur 40 nënshkrime dhe shumica e nënshkruesve janë ata të cilët tashmë kanë votuar për Gjykatën Speciale, e cila do të merret me përndjekjen e UÇK-së”, Dërguti.
Ndërkohë, për nesër është paraparë të mbahet edhe seanca e rregullt, mirëpo ajo do të vazhdoi pas seancës së jashtëzakonshme që pritet të zhvillohet edhe gjatë ditës së premte, meqë janë 13 pika në rendë të ditës. /KosovaPress/