Për dhjetë vjet u sfidua, u shkel, e nuk u mbrojt sa duhet. Akti më i lartë juridik i Kosovës, që materializoi edhe ligjërisht pavarësinë, Kushtetuta, nesër mbush një dekadë që nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës.
Më 9 prill të vitit 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u përmbush vullneti shekullor i qytetarëve për krijimin e shtetit të Kosovës edhe ligjërisht, përmes votimit të Kushtetutës në Kuvend.
Por, për dhjetë vjet akti më i lartë juridik pati sfida të shumta, duke qenë se qysh nga fillimi kishte mangësi.
Edhe vet hartuesit e saj, një dekadë më vonë vlerësojnë se Kushtetuta u sfida, u shkel e nuk u mbrojt sa duhet nga vet mekanizmat e paraparë për ta mbrojtur atë.Sfiduesi më i madh i Kushtetutës ishte mos shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit, meqë zbatimi i Kushtetutës në veri ende mbetet sfidë për institucionet. Por, pati shkelje të aktit me të lartë juridik edhe nga krerë institucionesh.
Veçohen dy raste, kur ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u gjet se ka shkelë rëndë Kushtetutën pasi mbante postin e kryetarit të LDK-së, ani pse ngrirë, gjatë kohës sa ishte president, derisa, edhe në kohën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje të Kushtetutës nga Kuvendi me rastin zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit.
Kryetari i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi, tha për KosovaPress, se Kushtetuta e Kosovës e miratuar në vitin 2008, është Kushtetuta e parë e Republikës së Kosovës e cila ka krijuar bazën e plotë për ndërtimin institucional dhe shtetëror, por edhe për bazën legjislative të gjitha ligjeve që janë bërë më pastaj.Megjithatë, ai vlerësoi se akti më i lartë juridik u sfidua në dekadën e parë. Prandaj ka ardhur koha që ajo të pësojë ndryshime aty ku ka nevojë.
“Gjatë periudhës që kemi bërë gjatë kësaj kohe, Kushtetuta është sfiduar dhe natyrisht sfida e parë ka ardhur nga vet shtrirja e saj në territorin e Republikës së Kosovës.
Pastaj është sfiduar nga vet individët e institucioneve të cilët nuk e kanë respektuar në plotni qoftë në synimin e saj apo edhe normën juridike të saj dhe mbi të gjitha do të thosha sa herë që bëhet një përvjetor ka arsye të bëhet edhe një përditësim i asaj që mund të jetë. Unë them gjithmonë që jeta është më evolutive se norma juridike, andaj jeta në Kosovë ka evoluar në dhjetë vitet e fundit e qëllimet tona politike që kanë qenë në atë kohë janë realizuar”, tha Kuçi.
Megjithatë, sipas tij, bazamenti i Kushtetutës sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, pavarësisë së tri pushteteve, duhet të ruhet. Edhe ish anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Riza Smaka, vlerëson se akti më i lartë juridik u shkel shumë herë në dekadën e parë të saj. Madje, sipas tij, nga vet institucionet me të larta, por edhe mekanizmat që u formuan për ta mbrojtur, e që s’e mbrojtën.
Smaka ka përmendur edhe akte ligjore që nuk janë në harmoni me Kushtetutën, siç është Ligji për Zgjedhjet, ku i jep gruas të drejtën automatikisht të përfaqësohet 30 përqind në zgjedhje. Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje e barazisë, sepse shumë deputete pastaj zgjedhën me vota qesharake, pikërisht për shkak të kuotës.
Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë për KosovaPress, se për një dekadë Kushtetuta është shkelur shumë herë, qoftë nga persona fizik, juridik, madje edhe nga vet shteti.
Profesorët Baraliu e Smaka, vlerësojnë se mekanizmat e ndërtuar për ta mbrojtur Kushtetutën nga shkeljet, nuk e mbrojtën sa duhet.
Derisa, Smaka ka marrë shembuj konkret kur është pretenduar se është shkelur Kushtetuta, pa pasur shkelje, që sipas tij, edhe kjo përbën shkelje në vete të aktit me të lartë juridik.
Tash pas mbushjes së një dekade, vlerësohet e domosdoshme ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës në shumë fusha të cilat nuk i rregullon ashtu siç duhet. Smaka thotë se është emergjente ndryshimi i neneve tek zgjedhja e kyetarit të Kuvendit, e po ashtu edhe te presidenti, që sipas tij, mënyra më e mirë është zgjedhja me vota drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Shkelje të Kushtetutës ka cdo ditë sidomos tek lokalitetet ku jetojnë serbët. Në ato lokalitete nuk respektohen fare institucionet e Kosovës, simbolet, mësojnë me planprogram të Serbisë, etj. Madje ata ende e përdorin dinarin si monedhë e jo euron si në gjithë Kosovën. Shkelje e Kushtetutës u konsiderua edhe rasti i fundit kur 6 shetas turq janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi.