Aktuale

Kush vendosi tabelën “Republika e Serbisë” në Zubin Potok, policia fillon hetimet

Tabela në Zubin Potok në të cilën shkruhej “Republika e Serbisë” dhe “Krahina Autonome e Kosovës”, është larguar nga autoritetet e Kosovës dhe tashmë njësitet policore kanë nisur hetimet për të parë se kush e vendosi këtë tabelë.

Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili tha se pret që hetimet të tregojnë se kush e ka bërë këtë veprim të kundërligjshëm.

“Po, kjo tabelë është larguar nga ai vend qysh mbrëmë. Ne mund të ju konfirmojmë se në lidhje me këtë çështje kanë filluar hetimet se si është ardhur deri tek vendosja e saj. Policia ka bërë intervenimin e duhur dhe ajo tabelë nuk gjendet më në atë pjesë të territorit të Kosovës”, tha Mustafa.

Persona të panjohur gjatë ditës së djeshme kishin vendosur një tabelë në hyrje të Zubin Potokut, nga drejtimi i pikës kufitare në Bërnjak. Në këtë tabelë qytetarëve ju urohej mirëseardhje në Krahinën Autonome të Kosovës si pjesë e Serbisë.

Ndaj kësaj tabele me mbishkrimin në gjuhën serbe si dhe me përmbajtje nacionaliste, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili edhe bëri të ditur largimin e saj.

“Tabela në Zubin Potok, për të cilën është raportuar dje në media, është hequr mbrëmë nga organet e zbatimit të ligjit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në rrejtin social./FaktePlus