Qeveria e Kosovës mbrëmë mori vendim që për shkak gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit të ndërpritet mësimi deri në datën 27 mars. Po ashtu, është marrë vendim që edhe të lirohet njëri prind nga puna, pavarësisht se është i angazhuar në sektorin publik apo privat.
E pas shqetësimit të ngritur nga qytetarët se mund të kenë problem të marrin pushim në sektorin privat, kanë ardhur reagimet nga zyrtaret e shtetit.
Këshilltarja politike e Ministres së Drejtësisë, Nazlie Bala ka thënë se ligji vlen për të gjitha dhe kush se respekton edhe mund të sanksionohet.
Madje, Bala ka ftuar të gjithë gratë dhe burrat që t’i raportojnë rastet e moszbatimit të vendimit qeveritar për lirimin e njërit prind nga vendi i punës për përkujdesje të fëmijëve.
“Masat qeveritare për lirimin e njërit prind nga vendi i punës për përkujdesje të fëmijëve, vlen edhe për sektorin privat. Ftoj, gra e burra që t’i raportojnë rastet e moszbatimin të vendimit qeveritar”, ka thënë ajo.
Mes tjerash Bala theksoi edhe veprimet që do të ndërmerren ndaj atyre që nuk e zbatojnë këtë vendim.
Mos zbatimi i vendimit:
Neni 256 i Kodit Penal (Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë)
Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, DËNOHET ME BURGIM DERI NË 2 VJET.






















