Aktuale

Kush po nxit luftën qytetare në Maqedoni?!

Kohëve të fundit në rrjetet sociale, dikush po bën thirrje për luftë qytetare pasi që, siç thonë, “kryetari I LSDM-së Zoran Zaev ka kapitulluar para partive politike shqiptare duke nënshkruar dhe pranuar të gjitha kërkesat e tyre”. Siç shkruan Zhurnal, në mesin e këtyre gjenden edhe persona të njohur që janë në pushtet.

Deputeti Pavle Bogoevski ka theksuar se kjo krizë sa është e keqe, është edhe e mire pasi i nxjerr në sipërfaqe të gjithë nacionalistët.

“Kriza doli që është punë e mirë. Mund të shikosh saktë se cilët nga heronjtë e fëmijërisë janë shpirtëra të shitur nacionalistë të cilët ftojnë në luftë qytetare, çdoherë ku kjo i përgjigjet diktatorit të vogël”, ka shkruar Bogoevski në Facebook.

Në rrjetet sociale maqedonase me të madhe është duke u shpërndarë një status i aktorit Vllado Jovanovski, i cili ka thënë se do të ketë luftë dhe pyet se sa kushton që të blihet eksploziv në mënyrë ilegale.

“Zhurnal” ka shkruar edhe më herët se në qarqe të ndryshme maqedonase po organizohen aktivitete të ndryshme të cilat kërkojnë rrebelim nëse LSDM bën koalicion me partitë shqiptare.