Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë bashkë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
Krerët e dy partive më të mëdha të vendin tashmë janë ulur afër njëri-tjetrit në tavolinë dhe po presin që të zhvillojnë një takim me Borrellin.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike.
Pra, të pranishëm janë Albin Kurti (LVV), Isa Mustafa (LDK), Fatmir Limaj (Nisma), Besnik Tahiri (AAK), si dhe Goran Rakiq (Lista Serbe).
Këtë takim e ka bojkotuar vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pasi kreu i saj Kadri Veseli ka thënë se është e pakuptimtë të ketë këso takimesh në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja.
Borrell sot do të ketë disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit. Fillimisht ai është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas Kosovës, ai do të udhëtojë për në Serbi, ku edhe atje do të takojë përfaqësuesit e shtetit.
Për shkak të pozitës që ka në BE, Borrell pritet të ndërmjetësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ky dialog është pezulluar në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja./FaktePlus






















