Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka hedhur poshtë zërat se partia e re e cila do të themelohet brenda këtij muaji, do të jetë satelit i partive të mëdha.
E para e Komunës së Gjakovës thotë se partia e re do të ketë identitetin e vet të formësuar dhe programin, të cilat bazohen në vlera programore.
Kusari Lila, në një bisedë për “Indeksonline” ka thënë se subjekti i ri do të jetë model edhe për partitë e mëdha.
“Secili prej ne të rinjve që jemi të mendësisë së njëjtë dhe tjerët që i presim, kemi mundur të jemi pjesë e partive. Unë personalisht kam mundur të jem në cilëndo parti aktuale dhe e kam parë që një alternativë e re është e domosdoshme për avancimin e demokracisë dhe mirëqenies në Kosovë. Në asnjë mënyrë nuk do të ishim formuar për satelit të askujt”, ka thënë Mimoza Kusari – Lila.
Tutje, ajo ka rikonfirmuar se partia e re do të zyrtarizohet gjatë këtij muaji. Megjithatë, ajo ka refuzuar të tregojë se cili do të jetë emri i kësaj partie.
“Sa i përket emrit jemi në konsultat e fundit për prezantimin e parë publik dhe po besoj deri atëherë gjithçka do të jetë e gatshme. Besoj se gjatë ditëve të mbetura do të shpalosen detajet. Rrethi është më i gjerë përveç meje dhe Dedës”, ka shtuar Lila.
E pyetur, nëse pjesë e këtij subjekti do të jetë edhe avokati Dastid Pallaska, ajo ka thënë se gjithçka do të zbulohet në momentin e prezantimit të partisë.
Sa u përket pritjeve, ajo thotë se ato janë pozitive duke shtuar se partia e re ka ardhur si rezultat i organizimit të individëve në bazë të kërkesës nga ana e qytetarëve, të cilët e kanë vërejtur se partitë aktuale në Kosovë nuk po japin hapësirë për një numër të konsiderueshëm të njerëzve.
“Kemi qenë dëshmitarë në këto dy vitet e fundit ku gjatë gjithë kohës jemi përballur me kriza, por e cila në realitet nuk e ka ngritur mirëqenien. Qytetarët po kërkojnë alternativë dhe neve si të rinj politikë do të marrim përgjegjësinë e ndryshimit, qasjes së re në raport me proceset vendimmarrëse në vend”, ka përfunduar Kusari – Lila. /Indeksonline/