Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, në vazhdën e aktiviteteve për ditën e sotme, ka takuar disa nga profesionistët shëndetësor, ku ka paraqitur objektivat e programit plus4 për sektorin e shëndetësisë.
Kryetarja fillimisht ka përmendur disa nga të arriturat dhe investimet që janë bërë gjatë mandatit të parë, me theks të veçantë, investimet në objektin aktual të QKMF-së, vendosjen dhe sigurimin e mamografit si dhe fillimin e ndërtimit të objektit të ri të QKMF-së.
“ E rëndësishme për të gjithë ne sot dhe veçmas për profesionistët shëndetësor është që fundi I vitit 2018 Gjakovën do e gjej me objektin modern dhe bashkohor të Qendrës së re kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjithashtu, në vitin 2018, QKMF-ja do të pajiset edhe me autoambulancën e re që është e planifikuar në buxhetin komunal. Për të pasur zhvillim dhe progres jo vetëm në sektorin e shëndetësisë por në të gjithë sektorët tjerë, na duhet të përcaktohemi qartë me 19 Nëntor, ku me votën tonë do të dëshmojmë se e duam zhvillimin, punën dhe angazhimin për Gjakovën dhe njëherit si banorë të kësaj Komune do të dëshmojmë se koha e grupacioneve politike që i shërbejnë interesave të individëve në Gjakovë ka përfunduar para katër viteve”, ka thënë në adresimin e saj kryetarja Kusari Lila.
Nga ana tjetër, profesionistët shëndetësor kanë shprehur mirënjohjen për gjithë angazhimin e Kryetares për përmirësimin e kushteve të shërbimit si dhe sukseset e dëshmuara përmes projekteve kapitale që përfshijnë sektorin e shëndetësisë në Komunën e Gjakovës./KosovaPress/