Aktuale

Kurtishaj: Pesë mijë euro paguajmë më shumë për mungesë të Kartonit të Gjelbër

Agjencia turistike vendore “Sharr travel” vazhdon të jetë lider me autobusë modern, komodë dhe shërbime cilësore me çmime mjaft të lira për destinacionet me vendet e rajonit dhe me shtetet e BE-së. Kjo agjenci nga 20 qershori hap linjën e re për në Zvicër dhe anasjelltas.

Mirëpo “Sharr travel”, vazhdon të përballet edhe me disa sfida në kuptimin e sektorit të transportit dhe shërbimeve turistike për faktin se po përballen me barriera që janë bërë me qëllim apo pa qëllim nga institucione të ndryshme për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSh) dhe problem tjetër për ta është edhe mungesa e Kartonit të Gjelbër, ngase Kosova ende nuk është anëtare në Kartonin e Gjelbër.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress, pronari i agjencisë turistike “Sharr travel”, Ruzhdi Kurtishaj, i cili thotë se kjo industri ndër problemet tjera po përballet edhe me konkurrencën jo fer brenda shtetit dhe jashtë Kosovës.

“Ne kemi dy lloj konkurrenca këtu, kemi konkurrencën e brendshme që nuk varet nga faktorët e jashtëm dhe kemi konkurrencën e jashtme faktorët e të cilës i ceka edhe më herët, po e përmendi çështjen e furnizimit me derivate ku në Maqedoni një litër naftë kushton diku rreth 80 cent, kurse, në Kosovë kushton 1 euro. Për të gjitha bizneset në Maqedoni kthimi i TVSh-së bëhet, ndërsa në Kosovë nuk bëhet, do të thotë problem është tek ligji… Në Maqedoni një autobus paguan kartonin e gjelbër në baza vjetore 300 apo 500 euro, tek ne për Kartonin e Gjelbër duhet të shkohet në Bullgari të merret dhe paguhet rreth 5 mijë euro”, theksoi Kurtishaj.

Ai tregoi se me këtë agjenci ka filluar sezoni veror me oferta për vikende në bregdetin dhe rivierën shqiptare, si për Sarandë, për Dhërmi, për Himarë dhe për Vlorë, si dhe në Shëngjin e Ulqin.

“Parimisht sezoni veror tashmë ka filluar me “Sharr travel”. Nga muaj shkurt ne kemi me ofertat tona për vikende, si oferta janë të shumta, një numër shumë i madh i qytetarëve deri tash me këto oferta kanë vizituar Sarandën, Butrintin, ishujt e bukur të Ksamilit dhe rivierën shqiptare që përfshinë Sarandën komplet Dhërmi, Himarë… Jale dhe Vlorën. Gjithashtu pjesë e këtyre paketave të mirëfillta turistike tashmë është bërë tradicionale në “Sharr travel” dhe në gjithë Kosovën, sepse “Sharr travel” është ajo agjenci e cila çdoherë është e para me oferta shumë atraktive dhe me çmime shumë të lira, që krijojnë mundësi për qytetarët për t’i vizuara ato vende”, tha ai.

Sipas tij, nga shtatori i vitit të kaluar kjo agjenci ka zhvilluar edhe një ofertë shumë të mirë një paketë turistike për Pogradec, ku përfshihet Pogradeci, Voskopoja, Korça përkatësisht vizitë në shtëpinë e parë të shqiptarëve, mësonjëtoren e parë të gjuhës shqipe në Korçë, po ashtu me ofertë është e përfshirë të vizitohet edhe Elbasani, Tirana e kështu me radhë.

Kurtishaj i bëri thirrje të gjithë mërgimtarëve që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër të udhëtojnë me “Sharr Travel”, me kushte shumë të mira të udhëtimit me autobus të standardit evropiane dhe ku komoditeti dhe siguria është në radhë të parë por sigurisht që edhe shërbimet janë shumë të mira.

“Ky është qëllimi i parë i joni që kemi hap linjën sa i përket udhëtimeve Kosovë – Zvicër –Kosovë, ndërsa qëllimi i dytë i hapjes së kësaj linje ka të bëjë me një fushë tjetër të udhëtimeve që gjithsesi është në sektorin e turizmit që ka të bëjë sjelljen e turizmit të huaj në Kosovë. Kosovës i duhen aq shumë i duhen për dy arsye përveç arsyes ekonomike i duhen edhe për arsyen e një opinionit dhe imazhit pozitiv për Kosovën sepse Kosova ka mjaft potenciale dhe ka mjaft vende të bukura për tu vizituar andaj ne sikur që kemi këto paketa javore që i kemi shumë aktive dhe shumë të pritura nga qytetarët e Kosovës për të vizituar vendet e Shqipërisë. Ne shumë shpejt do të dalim me paketa të ngjashme që qytetarin diasporën përkatësisht qytetarin e Kosovës por jo vetëm Kosovës por edhe qytetarin zviceran, gjerman, austriak por edhe të tjerët përmes paketave të lidhjeve të mira”, deklaroi ai.

Kurtishaj bëri me dije se përveç Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, destinacionet më të kërkuara nga turistët janë Kroacia dhe Bullgaria, mirëpo pengesat në për marrjen e vizave janë faktor kryesor që numri i qytetarëve që udhëtojnë në atë drejtim është shumë i vogël.

“Destinacionet më të kërkuara përveç Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi sigurisht që janë edhe vendet e tjera në të cilat duhet të udhëtohet me viza. Dhe vizat për ne janë një problem dhe është një pengesë shumë e madhe. Edhe pse Kroacia është një destinacion shumë i kërkuar dhe Bullgaria gjithashtu, pengesat në marrjen e vizave janë faktor kryesor që numri i qytetarëve që udhëtojnë në atë drejtim është shumë i vogël. Kjo duke e marrë parasysh që për të marrë një vizë sot do të thotë së paku një muaj angazhim, pritje në radhë për ta marr pasaportën”, tha ai.

Përkushtimi i pronarit të “Sharr travel” është që së bashku më qytetarë ta zhvillojnë turizmin. Në këtë agjenci me renome janë të punësuar diku rreth 50-të punonjës, ndërsa numri i autobusëve e minibusëve kalon mbi 20-të, kurse, numri i tyre çdo erë shtohet për shkak të kërkesave për të udhëtuar. /KP