Aktuale

Kurti: Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet shtet i drejtësisë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha të mërkurën në Gjakovë, se dalja e qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit është me rëndësi jetike për Kosovën dhe të mirën e vendit.

Ai gjatë një tubimi me qytetarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se qytetarët në ditën e zgjedhjeve kanë mundësi të bëjnë ndryshimin e madh, pasi me ish-qeveritë e deritanishme Kosova është bërë shtet i korrupsionit dhe i rreshtave të gjatë për viza para ambasadave.

“Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet shtet i punës, shtet i drejtësisë dhe i kulturës, shtet ku njerëzit duan të rrinë e të punojnë, e jo të ikin dhe të harrojnë. Ne me Lëvizjen Vetëvendosje duam që ta heqim qafe këtë regjim dhe të zhvillohet ekonomia e të përparojë shoqëria. Më 11 qershor e kemi shansin dhe të drejtën. Më 11 qershor duhet ta bëjmë ndryshimin e madh dhe jo të vogël. Ndryshimi i vogël është ndryshim i rrejshëm, sepse zgjat shumë dhe kthehesh ku ke qenë. Ndryshimi i madh është i vërtetë, sepse vetëm ashtu nuk kthehet e kaluara. 11 qershori është dita jonë. Terri që e sollën ata merr fund më 11 qershor, sepse Gjakova dhe gjithë Kosova do të numërojë 35. Ndryshimi i madh e ka një emër dhe një numër. Emri është Vetëvendosje dhe numri është 35”, tha Kurti.

Ndër të tjera, ai shpalosi disa pika të programit të Vetëvendosjes duke thënë se me Lëvizjen në pushtet shteti do të jetë më i fuqishëm. Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti, i cili i ka bërë bashkë shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social dhe se për këtë kanë marrë modelin më të mirë, e që sipas tij është Zvicra dhe vendet skandinave.

Kandidati për deputet, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se nga tubimi i sotëm në Gjakovë po shihet më së miri se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë.

“Më 11 qershor unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni për barazi. Më 11 qershor unë ju ftoj juve dhe vetë do të votoj për luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni me zemër. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni Lëvizjen Vetëvendosje. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj juve të votoni Albin Kurtin kryeministër të Republikës së Kosovës”, thirri Ahmeti.

Ai premtoi se ashtu sikur e kanë zhvilluar Prishtinën, do të zhvillojnë edhe Kosovën, e sipas tij, kjo arrihet duke ndalur hajnat dhe matrapazët.

Dardan Molliqaj, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në fjalën e tij, thumboi kundër-kandidatët e Kurtit. Ai me këtë rast, u ndal posaçërisht te kandidati i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj.

“Në Kosovë, përveçse po garohet për herë të parë në tri blloqe, për herë të parë po garojnë tre emra. Njëri prej tyre nuk po e përmendi, sepse është dorëzuar prej se ka kandiduar, ai është Avdullah Hoti. Megjithatë, një tjetër është Ramush Haradinaj, luftëtar në luftë e frikacak në politikë. Është frikacak në politikë, po frikësohet. Mos u fsheh, dil përpara kryeministrit të ardhshëm. Pra, nuk kemi asnjë kandidat. Kemi veç një kryeministër e ai është Albin Kurti. Një tjetër porosi për Ramush Haradinajn, nga Gjakova. I ka dy rrugë: një humbje të dinjitetshme dhe një humbje pa dinjitet, le ta zgjedhë cilën të dojë, sepse gjithsesi është humbës”, u shpreh Molliqaj.

Ndryshe, Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit garon si subjekt i vetëm politik./kp