Aktuale

Kurti: Do t’i intensifikojmë takimet me LDK-në

Deputeti i VV-së Albin Kurti, i cili u regjistrua si deputet në Kuvendin e Kosovës tha se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
Ndërsa tha se mënyra se si PAN po përpiqet ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një Qeverie, që varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe me blerjen e deputetëve, i bënë dëm shtetndërtimit.

Kurti tha se i gjithë grupi parlamentar i VV- së, do të jenë të enjten para orës 10 në Kuvendin e Kosovës. Por thotë se kryetar i kuvendit, duhet të zgjidhet një figurë gjithëpërfshirëse, e jo një njeri kontrovers.

Ndërsa sa i përket takimeve të VV me LDK-në, ai theksoi se kanë pasur takime, por ato do të intensifikohen në ditët në vazhdim.
I pyetur rreth takimeve me ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë, Kurti tha se në këto takime po diskutohen sfidat e seancës konstituive si dhe qëndrimet dhe idetë e VV atëherë, kur ata do të jenë Qeveri.

Ndërkaq deputeti i PDK-së Memli Krasniqi tha se ata tashmë i kanë votat për krijimin institucioneve Qeverisë dhe Kuvendit.


Ndërsa tha se nuk beson që po atë ditë do të bëhet dhe votimi i Qeverisë.
Sa i përket kandidatit të PDK- së për kryetar të Kuvendit, Krasniqi tha se ende nuk është nominuar zyrtarisht, por shtoi se Kadri Veseli e ka mbështetjen e plotë, por se ky ende nuk është fakt i kryer./KosovaPress/