Edhe sot, shumë qytetarë morën rrugën për në Prekazin heroik. Vizita të shumta dhe përkulje para veprës heroike të familjes Jashari po bëhen në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Në mëngjesin e sotëm, homazhe në Prekaz dhe përkulje para varrezave të Jasharajve bënë edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit tha se familja Jashari e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Erdhëm bashkë në Prekaz për të nderuar 22 vjetorin e Epopesë së UCK, për të bërë homazhe te varret e Jasharajve të kësaj familje e cila e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Ne e kemi obligim dhe borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharjave dhe këtë mund ta shlyejmë me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi” tha nga atje Kurti, përcjellë FaktePlus.