Aktuale

Kurti takon gratë aktiviste, thotë se e ka synim barazinë gjinore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbledhur sot organizata të grave aktiviste, deputete e gra të profesioneve të ndryshme të cilave u ka thënë se barazinë gjinore nuk mund ta arrijë menjëherë, por e ka synim për qeverinë që synon ta krijojë. Në tryezën me temë: Dialogu shoqëror, gratë për zhvillim”, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë se në qeverinë e re gratë do të jenë pjesëmarrëse në secilin nivel, sepse kjo u takon.

Gratë aktiviste të cilat drejtojnë organizata të ndryshme në Kosovë, kanë shpalosur problemet me të cilat përballen gratë në secilën komunë të vendit.

Mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje, papunësia e përballja me vështirësi në punësim në shëndetësi, arsim e fusha të tjera, kanë qenë çështjet që gratë aktiviste i kanë diskutuar në tryezë me Albin Kurtin.

E ky i fundit, tha se barazia gjinore duhet patjetër të jetë synim, ani pse nuk mund të arrihet për një periudhë të shkurtë kohore.

Kurti tha se në qeverinë e tij gratë do të jenë pjesëmarrëse në secilin nivel, dhe kjo jo për ofrim të hapësirës, por sepse u takon.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se qeveria e ardhshme duhet të ketë prioritet qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

Ndërsa Xhejrane Lokaj, drejtoreshë e shoqatës “Iniciativa e Grave” në Dragash, e cila me profesion është mami, tregoi problemet me të cilat gratë përballën në këtë komunë.

Sipas saj, ato jetojnë në kushte tejet të vështira dhe përballën me shkallë të lartë të papunësisë.

Në anën tjetër, Albin Kurti i cili ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, dhe synon të udhëheqë me qeverinë e re të Kosovës, u premtoi atyre se do të u ndihmojë të organizohen sa më shumë.

the authorGazetaKNN