I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti vizitoi Panairin e Librit në Prishtinë. Kurti gjatë kësaj vizite bleu mjaft libra, por dhe shumë nga ta mori dhuratë.
Ndërsa u premtoi Shtëpive Botuese, se me ardhjen e tij në Qeveri, do ta heq TVSH-në për librin dhe se libri nuk do të trajtohet si mall i zakonshëm.
Kurti tha se Vetëvendosje do ta sjellë dijen dhe shkencën në politikë, pasi që VV dhe libri janë bashkë.
“Do ta heqim tatimin mbi vlerën e shtuar mbi librat, nuk do ta trajtojmë librin asnjëherë si mall të zakonshme dhe nuk do të lejojmë kurrëfarë pengese në qarkullimin e librave. VV-ja është subjekti i cili është i interesuar që t’i sjell në politikë dijen, shkencën, kulturën, studimet, prandaj VV-ja dhe libri janë bashkë e do të jenë bashkë”, tha Kurti.
Kurti tha se më shumë se gjysmën e librave i mori dhuratë dhe se ata do t’i lexojë kryesisht në makinë, pasi që Qeveria e VV nuk do të jetë Qeveri, që rri në zyre.
“Më kanë dhuruar më shumë sesa gjysmën e librave që i mora në përgjithësi, por besoj që janë mbi 30 sosh gjithsej….Do të dëshiroja që të kem kohë t’i lexoj, shpresoj që do t’i lexoj në një periudhë pak më ta gjatë dhe kryesisht në makinë, teksa udhëtoj prej një vendbanimi në një tjetër. Mbase jo vetëm para 11 qershorit, por edhe pas tij, për shkak se Qeveria e VV-së nuk do të jetë një Qeveri që rri në zyrë në Prishtinë, por gjithmonë pranë qytetarëve dhe bashkë me të”, tha ai.
Kurti sot do të bëjë fushatë në zonën e Gjakovës /kp





















