Aktuale

Kurti: Qytetarët të rrinë në shtëpi, shqetësues rritja e numrit të të infektuarve për këto dy ditë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministrinë në detyrë të shëndetësisë Arben Vitia e kanë vizituar sot Klinikë Infektive në QKUK.

Nga atje Kurti ka theksuar se është e nevojshme që qytetarët t`i respektojnë masat e ndërmarra nga organet kompetente për t`u mbrojtur ndaj Coronavirusit, raporton “Front Online”.

“Ne erdhëm këtu në Klinikën Infektive për të dhënë mbështetjen tonë, si Qeveri në detyrë në mënyrë që të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit kur fitoren e kemi shumë afër. Vetëm kur jemi bashkë do të fitojmë dhe ne jemi bashkë atëherë kur ne e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe respektojmë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëzimet e IKSHPK-së, si dhe ekspertëve në përgjithësi.

Kurti ka folur edhe për masat që janë ende në fuqi për qytetarët. Ai u ka bërë apel të gjithë shtetasve që të mos dalin pa nevojë jashtë shtëpive të tyre.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që në mënyrë rigoroze t`i respektojnë të gjitha masat që i kemi bërë publike për çdo ditë, e në veçanti distancën, higjienën personale dhe qëndrimin në shtëpi. Tash ne e dimë që qytetarët i kanë nga 180 minuta apo nga 3 orë jashtë vendbanimit të tyre, në shtëpi ose banesë dhe edhe ato nuk është mirë që t`i shfrytëzojnë pa nevojë, por vetëm ajo që është e domosdoshme është e arsyeshme”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për rritjen e numrit të të infektuarve këtyre ditëve. Sipas tij kjo situatë është brengosëse.

“ Në dy ditët e fundit kemi diçka brengosëse që duhet ta adresojmë, për shkak se numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve, Mbrëmë është dhënë njoftimi se kishim 8 të infektuar dhe asnjë të shëruar, teksa pardje kishin 24 të infektuar rishtazi dhe vetëm 14 të shëruar. Kjo lakorja e cila është në rënie të vazhdueshme mbetet e tillë përveç këtyre dy ditëve të fundi”, ka thënë ai

the authorGazetaKNN