Mitrovicë. Lëvizja “Vetëvendosje” ka vazhduar fushatën elektorale në Mitrovicë. Kandidati i saj për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Mitrovicë se me qeverisjen e “Vetëvendosjes” ura e Ibrit do të hapet dhe qyteti do të bashkohet, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ai ka folur edhe për “Trepçën”, për të cilën tha se do t’i kthehet nami i dikurshëm. “Shpërbërja e Jugosllavisë ka nisur në ‘Trepçë”, prandaj Kosova do të bëhet përmes ‘Trepçës’.
Sot Mitrovica e ka papunësinë më të madhe në Kosovë, mirëpo më 11 qershor Mitrovica dhe qytetarët e saj e kanë mundësinë ta ndryshojnë këtë gjendje”, tha Kurti, sipas të cilit, me qeverinë e “Vetëvendosjes” pas 11 qershorit do të bëhen ndryshime rrënjësore në shumë fusha, duke përfshirë këtu edhe në “Trepçë”.
“Trepça nuk është vetëm krenaria për të kaluarën, por edhe shansi ynë i të ardhmes. Nuk mund të flasësh për Mitrovicën pa e menduar zhvillimin e ‘Trepçës’ dhe nuk mund të flasësh për zhvillimin e ‘Trepçës’ pa bashkimin e Mitrovicës. ‘Vetëvendosja’ ka në plan t’i bëjë të dyja”, tha Kurti para mitrovicasve teksa ka folur për rëndësinë e këtij gjiganti ekonomik.
Ai më tutje tha se qeveritë e Kosovës janë me fytyra të ndryshme, por drejtim të njëjtë, duke shtuar se asnjëra nuk ka dashur ta zhvillojë “Trepçën” dhe kanë lejuar kontrabandën në Mitrovicë, shkruan gazeta Zeri.
“Sot Mitrovica e ka papunësinë më të lartë në Kosovë, mirëpo me emrin ‘Vetëvendosje’, me numrin 35, hapet mundësia, shansi, e drejta që kjo të ndryshojë përgjithmonë. Qeveria e ‘Vetëvendosjes’ në katër vjetët e qeverisjes do të ndajë 300 milionë euro për ‘Trepçën’”, premtoi Kurti në Mitrovicë.
Kurti premtoi rivitalizimin e “Trepçës” përmes studimeve, zhvillimit të minierave dhe prodhimin e mineraleve të ndryshme që janë aty. E po ashtu tha se ura e Mitrovicës do të hapet dhe qyteti do të bashkohet. “Të pavendosurit nuk janë indiferentë, përgjithësisht ata janë inteligjentë, por Kosova ka nevojë për ndryshim, prandaj të pavendosurit duhet të vendosin vetë”, tha ndër të tjera Kurti teksa ka ftuar që të votohet për ndryshim.
Ndërkaq kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, ka thënë se Mitrovica është plaga e Kosovës që më së shumti na pezmaton. “‘Vetëvendosja’ e ka në plan të parë bashkimin e Mitrovicës, strukturat paralele do të shuhen dhe do të arrestohen, ndërsa do të shtrihet sovraniteti në mbarë territorin e Kosovës”, ka thënë Ymeri./Zeri/.