Aktuale

Kurti: Qeveria që varet nga partia e Beogradit i bën dëm shtetndërtimit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha sot se mënyra se si koalicioni PAN po orvatet që ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një Qeverie, e cila do të varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti edhe i bën dëm shtet ndërtimit dhe demokracisë në Kosovë, por edhe nuk i bën nder vet atyre.

Kurti tha se të entjen kur pritet të mbahet seanca konstitutive do të jenë në Kuvend. Ai përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes se nuk do e votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit

“Padyshim që i gjithë grupi parlamentar i VV-së do të jemi të enjten para orës 10 në Kuvendin e Republikës. Të enjten Kuvendi duhet ta zgjedh për kryetar një figurë politike sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse. Ky deputet që do të bëhet kryetar Kuvendi në legjislaturën e gjashtë duhet të jetë shumë më i mirë se kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë. Natyrisht se nuk do ta votojmë Veselin”, tha Kurti sot pasi u regjistrua si deputet.

Ai foli edhe për takimet me ambasadorët e shteteve të Quintit ku siq tha ai po diskutohen sfidat e seancës konstituive si dhe diskutohen qëndrimet dhe idetë e VV atëherë kur do të jenë në Qeveri.

“Ne si përfaqësues të VV-së theksojmë rëndësinë e partneritetit me shtetet e perëndimit e në vecanti me ShBA-të dhe Gjermaninë”, tha Kurti./KosovaPress/