Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e ka kujtuar Enver Zymberin, policinë e vrarë në aksionin e 25 korrikut 2011.
Kurti në ‘Facebook’, e ka kujtuar kohën sa ishte në burgun e Pozharevcit. Ai tha se atje kishte takuar babain e policit Enver Zymberit.
“Kishte kohë që nuk e kisha takuar Rremën, siç e thërrisnim Muharrem Zymberin në burgun e Pozharevcit. U stepa kur e pashë në televizor në krye të radhës së familjarëve që prisnin për ngushëllime. Ia kishin vrarë djalin, Enverin. Pranë arkivolit të të birit përshëndetej me policët e shumtë të cilët e kishin humbur kolegun më të mirë e më trim të tyre. Shtatë vjet më vonë shënojmë edhe një përvjetor të vdekjes së policit dëshmor, Enver Zymberit, i cili u vra nga kriminelët serbë në veri të Kosovës. Enver Zymberi është hero i integritetit të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje thekson se familja Zymberi ishte e përkushtuar për të ardhmen e vendit. Kështu lideri i Vetëvendosjes thotë se Qeveritë e Kosovës e kanë lejuar sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në Veri.
“ Gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ishte shumë i ri, Enveri e kishte babain në burg të Serbisë kurse me gjithë familjen e deportuan në Shqipëri. Mirëpo, ai menjëherë u mobilizua në radhët e UÇK-së në Kukës dhe hyri në luftë në Koshare. 12 vjet më vonë bie dëshmor në Kosovën e shpallur të pavarur. Qeveritë e Kosovës e kanë lejuar sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në veri. Madje, ato edhe kanë dialoguar e bashkëpunuar me to: prej kontrabandës që zhvillohej në veri të vendit e deri te formimi i koalicioneve qeverisëëe në Prishtinë”, theksoi Kurti.
Tutje numri një i Vetëvendosjes thotë se pushtetarët nuk po e respektojnë dëshmorin.
“ Janë të njëjtit pushtetarë që sot nuk kanë vija të kuqe për Serbinë dhe nuk skuqen për zhvatjet e tyre në Kosovë. Ata nuk e respektojnë as dëshmorin e as qytetarin e Kosovës, prandaj nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e dëshmorit, policit të Republikës së Kosovës, Enver Zymberit!”, ka shkruar Kurti/FaktePlus