Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore që ka mbajtur sot në Mitrovicë, ka thënë se me Vetëvendosjen, ura në Mitrovicë do të hapet e qyteti do të bashkohet.
Kurti ka thënë se shpërbërja e Jugosllavisë ka nisur në Trepçë, ndërsa, Kosova do të bëhet përmes Trepçës.
“Sot Mitrovica e ka papunësinë më të mashe në Kosovë, mirëpo më 11 qershor Mitrovica dhe qytetarët e saj e kanë mundësinë ta ndryshojnë këtë gjendje”, tha ai.
Sipas tij, me Qeverinë e Vetëvendosjes pas 11 qershorit do të bëhen ndryshime rrënjësore në shumë fusha, duke përfshirë këtu edhe në Trepçë, në të mirë të qytetarëve.
Ai potencoi se qeveria e VV-së do të ketë prioritet punësimin dhe sigurinë e qytetarëve në veri.
Kurse, kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se Mitrovica është plaga e Kosovës që më së shumti na pezmaton.
“ Njerëzit këtu janë për plotë shpresë, andaj ta bëjmë shtetin e Kosovës të fuqishëm e të zhvilluar më 11 qershor. Ndarja e Mitrovicës nuk është fatkeqësi natyrore por është tradhti, ka përgjegjës të cilët shëtisin të lirë, madje edhe kërkojnë votën .. janë të njëjtit tradhtarë që deshën Zajednicën dhe po e mbajnë Mitrovicën të ndarë. Vetëvendosje e ka në plan të parë bashkimin e Mitrovicën, strukturat paralele do të shuhen dhe do të arrestohen, ndërsa do të shtrihet sovraniteti në mbarë territorin e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, Aida Dërguti tha se nuk ka shtet dhe drejtësi në Kosovë pa e bashkuar Mitrovicën.
“Me votën e VV më 11 qershor ne do të sjellim drejtësinë, demokratizimin dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë ai./KosovaPress/