Aktuale

Kurti: Po përgatitemi edhe për raste pozitive me koronavirus

Ka përfunduar takimi i Komisionit të Posaçëm për Parandalimin e Koronavirusit.

Kryetari i Komisionit, Albin Kurti ka ripërsëritur këshillat që janë dhënë nga OBSH-ja për parandalimin e koronavirusit, shkruan lajmi.net.

“I ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që nëse kanë shenja të koronavirusit të qëndrojnë në shtëpitë apo banesat e tyre, të kontaktojnë në numrat që janë bërë të ditur dhe të mos shkojnë menjëherë në QKMF-të por njëherë të qëndrojnë në banesë. Po ashtu, duhet të evitohet shtrëngimi i duarve, përqafimet dhe të pastrohen sa më shumë duart”, tha Kurti.

Kurti tha po ashtu se Kosova është duke i bërë përgatitjet nëse ka raste pozitive me koronavirus.

“Për momentin janë edhe 15 mostra që janë duke u testuar, dhe po presim rezultatet për një orë ose një orë e gjysmë. Vend për panikë nuk ka, vend për frikë nuk ka. Por duhet mobilizim të shtuar të qytetarëve”, ka thënë ai.

“Deri më sot 93 raste janë testuar me koronavirus, dhe të gjitha janë negative. Ne po i bëjmë përgatitjet që edhe më tej të ngelet kështu, por po i bëjmë edhe përgatitjet që nëse ka”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se vendimi për mbylljen e kufijve do të mirret varësisht nga dinamika e zhvillimeve në lidhje me koronavirusin.

“Sot në mëngjes, kam marrë një rekomandim nga IKSHPK. Ne jemi 24/7 në kontakt me institucionet edhe jashtë Kosovës, si OBSH e të tjera, dhe situata është dinamike e varësisht nga zhvillimet në teren ne duhet të marim masa. Ne kemi marur një rekomandim që për një kohë të shkurtër të mbyllen edhe kufijtë tokësor, në mënyrë që fati që nuk kemi asnjë rast të shtyhet deri në maksimum”, tha ai.

the authorGazetaKNN