Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar burgun e Dubravës në përvjetorin e masakrës në këtë burg dhe ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore, raporton Ekonomia Online.
Kurti nga këtu ka kërkuar që të hetohen dhe gjykohen krimet e luftës. Ai foli edhe për zhdukje e veprimtarit Ukshin Hotit, për fatin e të cilit nuk dihet që nga viti 1999, kur edhe u lirua nga burgu i Dubravës më 16 maj.
“Brenda këtyre mureve të sjellë nga burgjet e ndryshme në serbi dhe me datën 22 maj u pushkatuan. Në atë kohë unë kam qenë në burgun e Lipjanit dhe shumë prej këtyre të burgosurve na i patën sjellë aty në burg”.
“Këtu bashkë me mua janë të mbijetuar të kësaj masakre Enver Dugolli dhe Shaban Beka dhe këta e kanë takuar profesor Ukshin Hotin këtu në burgun e Dubravës. Ai me 16 maj u lirua nga burgu dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur”.
“Për masakrën e Dubravës nuk është dënuar askush nga kriminelët serb. Fatkeqësisht në Tribunalit e Hagës masakra e Duravës dhe e Reçakut kanë qenë vetëm një pjesë e aktakuzës ndaj Millosheviqit, i cili vdiq ne burg”.
“Serbia i nxori në fushë dhe i pushkatoi këtu 150 shqiptar, por ka edhe të tjera që janë pushkatuar. Në pavijonin dy ka qenë edhe Ukshin Hoti i cili është liruar të dielën e 16 majit dhe është nxjerrë jashtë mureve të këtij burgu dhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tij dhe ende mungon drejtësia”.
I mbijetuari i masakrës, Enver Dugolli, aktualisht zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, tha se edhe 20 vjet pas askush nuk është dënuar për kryerjen e kësaj masakre edhe pse ka pasur shumë të mbijetuar që kanë pasur mundësi ta dëshmojnë atë që ka ndodhur.
“Sot e 20 vite më parë pasi që ky burg ishte shndërrua në park përqendrimi, ishin sjellë të burgosur nga burgjet e Serbisë në Kosovë dhe ishin sjellë të gjithë me të vetmin qëllim ishin grumbulluar që të kryhej një krim i pashembullt një vrasje masive e të burgosurve shqiptarë”.
“Kjo fushë këtu para 20 viteve ishte shndërruar në një fushë gjuetie ndaj shqiptarëve të pafajshëm, por i vetmi dënim ishte që mjaftonte që ishin shqiptar qe na kishin tubuar që të kryenin krim në fund shekullin 20”.
“Në këtë ditë mungon një numër i madh i familjarëve për shkaqe pandemie dhe do të ndërtohet edhe një memorial për atë masakër”.
Shaban Beka, i mbijetuari i masakrës së Dubravës ka kërkuar drejtësi nga institucione edhe për Ukshin Hotin, raporton EO.
“Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të organizuar dhe na kanë sjellë në burgun e Dubravës forcat serbe”.
“Kjo është më e rënda. Prej 19 deri me 22 maj ka pasur të tjerë që kanë tentuar mi keqpërdorë të burgosurit sepse nuk ka pasur kontroll. Na kanë larguar nga këtu për në Lipjan”.