Aktuale

Kurti: Ky shtet e do një qeveri ndryshe

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të martën në Gjakovë, ka vizituar Organizatën Joqeveritare “Thirrjet e Nënave”, me ç’rast ka thënë se Kosova e ka për obligim që të angazhohet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndërsa është zotuar se në qeverisjen e Vetëvendosjes fati i të pagjeturve do të gjejë zgjidhje.

Kryetarja e “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, e cila edhe pse në moshë, kishte në kujtesë kohën kur është takuar për herë të parë me Albin Kurtin e sapo dalë nga burgu, duke rrugëtuar bashkë për të gjurmuar për fatin e të pagjeturve.

“Që 18 vjet duke pritur. U deshëm me e nderur objektin dhe me vazhduar në kërkimin e më të dashurve tanë. Pas 18 vite. Ne sot jemi tubuar nënat me u takuar me Albinin. Albinin e kemi si djalin tonë dhe i urojmë suksese në fushatën që e ka marrë. Edhe emërimin, pozicionin e punës për kryeministër. Urojmë të bëhesh kryeministër dhe të na udhëheqë Kosovën ashtu siç duhet. Qëllimi i takimit është se ne me Albinin, kemi bërë shumë aktivitete me vite të tëra. Vitet më të vështira që kanë qenë, kanë qenë fillimi i rrëmbimit i më të dashurve. Albini atëherë ka qenë ish i burgosur. Me lirimin e Albinit ne si dy nëna kemi marrë rrugëtimin, kemi shkuar e kemi vizituar në familjen e vet që është liruar nga burgu, unë e Luljeta Sharani edhe vëllai i vet”, tha Kumnova.

Kandidati për kryeministër nga VV, Albin Kurti, pasi u uroi të gjitha nënave e grave shëndet kujtoi se sa të vështirë e kanë pasur rrugëtimin në Kosovën e pasluftës.

“Ankthi është i përjetshme, derisa nuk zbardhet një herë e mirë fati i të gjithë të pagjeturve. Deri më tash dialogu me Serbinë është zhvilluar sipas kushteve të Serbisë. Është siguruar ajo çka i konvenuar Serbisë. Ne jemi të bindur që ajo do të duhej të kushtëzohet me këtë çështje, sepse duhet të bëhet hulumtimi i hollësishëm në Serbi se çka ndodhi e ku ndodhi me të dashurit tuaj. Ne e dimë që vetëm në varrezën masive në Batajnicë kanë qenë mbi 800 të pagjetur. Duke qenë që ata që janë në pushtet në Serbi, të cilët janë bashkëfajtorë me atë çka ka ndodhur gjatë luftës”, tha Kurti.

Ai u zotua se në qeverisjen e Vetëvendosjes fati i të pagjeturve do të gjejë zgjidhje.

“Ne nuk duhet të presim që ata një ditë do të zgjohen me ndërgjegje të ndryshuar dhe do të fillojnë të na tregojnë të vërteten e të japin përgjegjësi. Kjo duhet të kërkohet nga shteti ynë, i cili e ka obligim një gjë të tillë. Por ky shtet e do një drejtim tjetër, e do një qeveri ndryshe në mënyrë që t’i dalim zot kësaj kategorie për të cilën njëfarë mënyre lufta nuk ka përfunduar ende”, tha Kurti.

Kurti ka vizituar edhe shtëpinë muze në familjen Qerkezi ku është takuar me banoren e vetme të kësaj shtëpie Ferdonije Qerkezin. /kp