Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nënshkruar dokumentin për shqyrtimin dhe miratimin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë për lirimin nga tarifa 100% për lëndën e parë që hyn në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas këtij vendimi që mbanë datën 20 mars 2020 (sot) vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 prill 2020, me ç’rast detyrohet Ministria e Financave e Kosovës dhe Doganat ta zbatojnë vendimin.
Më poshtë mund t’i gjeni dokumentet e kryeministrit Kurti dhe të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për një vendim të tillë, raporton frontonline.
I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt, përmes një konferencë për media, kishte njoftuar se ka vendosur ta heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Kurti kishte vendosur ta heqë tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina duke filluar nga data 15 mars por kjo datë u shtye për shkak situatës së krijuar nga Koronavirusi.
Ai në konferencën për media, të mbajtur më 27 shkurt, pati thënë se pas kësaj do të kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.
Më poshtë sjellim 7 pikat që prezantoi Kurti në konferencën e jashtëzakonshme për media:
- Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
- Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.
- Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.
- Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.
- Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.
- Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.
- Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.