Aktuale

Kur do të takohen Kurti e Mustafa, flasin nga Vetëvendosje

Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të takohen edhe sot në tentimin e radhës për të arritur marrëveshjen e koalicionit.

Mirëpo, pavarësisht raportimeve të djeshme që takimi i sotëm do të zhvillohet nga ora 14:00, një gjë e tillë nuk po del të jetë e vërtetë, shkruan FaktePlus.

Kështu, ka thënë për FaktePlus, zëdhënësi për media i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

“Ende nuk e di orën e saktë se kur do të mbahet takimi, por nuk është në ora 14:00, do të jetë më vonë”, ka thënë ai.

Kurti e Mustafa janë takuar dy ditët e kaluara, në takime që kanë zgjatur më shumë se tre orë, por pas përfundimit të takimeve, asnjëri nga ta nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.

E tëra çfarë është thënë pas takimeve, janë deklaratat e zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, i cili tha se ka lëvizje pozitive dhe dy kryetarët do të takohen sërish.

Me tone optimiste për takimin e djeshëm janë shprehur edhe LVV-ja, e cila përmes një komunikate ka njoftuar shkurt se ka përafrime të qëndrimeve dhe se do të takohen sërish./FaktePlus