Aktuale

Kundërmojnë kontejnerët, Komuna e Prishtinës nuk e hapë hapësirën

Ka rreth dy muaj që është ndërtuar vendi për vendosjen e kontejnerëve në lagjen “Dardania”, por Komuna e Prishtinës akoma po e mbanë të mbyllur. Qytetarët ankohen për kundërmimin që po lëshojnë kontejnerët e dalë në rrugë.

Qytetarët nuk po mund të durojnë erën e keqe të kontejnerëve në Rrugën “Lek Dukagjini” në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Si pasoj e djegës së mbeturinave në kontejner para disa muajve ishin djegur disa makina dhe të gjithë kontejnerët. Më pas, Komuna e Prishtinës ndërtoi një vend adekuat për futjen e tyre, por që nga ajo kohë hapësira e ndërtuar po qëndron e mbyllur dhe kontejnerët kanë mbetur jashtë, shkruan lajmi.net.

Qytetarët kanë nisur të adresojnë ankesa në Komunën e Prishtinës për shëmtinë dhe erën e keqe që po u krijohet.

“Ne lagjen Dardania, gjegjësisht tek rruga Leke Dukagjini, ne afërsi te Restorant Dubrovnikut, për afro dy muaj pas rregullimit te hapësirës se dedikuar për kontejner, siç edhe mund te shihni ne fotografi, kontejnerët kane mbetur jashtë, gjë qe po shkakton kundërmim, ndotje te ambientit si dhe insekte. Ndonëse, te njëjtat fotografi u janë dërguar personave kompetent, si te Kompanisë Pastrimi, Drejtorit për Shërbime Publike dhe Kryetarit te Prishtinës, askush ende nuk ka intervenu. Urojme qe pas publikimit ne ketë platforme te këtë sukses raportimi”, thuhet në një ankesë të banorëve të “Dardanisë”, që i kanë adresuar Komunës së Prishtinës në Platformën digjitale online.

Zbrazjen e kontejnerëve e bënë kompania Regjionale “Pastrimi”.

Arbënore Ademi, zëdhënëse në Kompaninë “Pastrimi”, ka thënë për lajmi.net se atë hapësirë e ka rregulluar Komuna e Prishtinës . Ajo ka thënë se, objekti si i tillë është i mbyllur për shkaqe të pa ditura. “Pasi ishin djegur kontejnerët dhe disa vetura, Komuna e Prishtinës e ka kontraktuar një kompani dhe e ka bërë ndërtimin e tyre. Ka kohë që është bërë ndërtimi dhe kontejnerët po qëndrojnë jashtë. Ajo pjesë aty është e mbyllur dhe ne nuk po mund të fusim kontejnerët brenda. Për këtë i jemi drejtuar edhe Shërbimeve Publike të Komunës, por nuk kemi marrë përgjigje. Në momentin që Komuna e hapë atë pjesë, ne i vendosim kontejnerët brenda”, tha Ademi.