Në Komunën e Podujevës ka filluar realizimi i projektit të përbashkët me USAID-in për certifikimin e fermerëve kultivues të mjedrës, me standardin Global Gap.
Sipas një njoftimi të komunës, falë bashkëpunimit të Komunës së Podujevës me USAID-in dhe Shoqatën “Mjedra e Llapit”, në sallën e Kuvendit Komunal, 523 kultivues të mjedrës për tri ditë radhazi kanë ndjekur programe trajnimi për certifikim.
Programi i trajnimit është rezultat i nismës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe drejtorit të Programit USAID/AGRO, Mark Wood, për t’i certifikuar fermerët llapjanë, kultivues të mjedrës, me standardin Global Gap.
“Me realizimin e këtij programi fermerët kultivues të mjedrës do të pajisen me certifikatën e standardit Global GAP. Ky program dhe certifikimi u mundëson prodhuesve të mjedrës qasje në tregun evropian”, tha kryetari Veliu
Kryetari Veliu e vlerësuar të frytshëm partneritetin me USAID-in në programin për kultivimin e mjedrës, gjë që e ka bërë Podujevën qendër referente në Kosovë për kultivimin e kësaj kulture të pemëtarisë së imtë.
Pas pajisjes me certifikatën Global GAP, kultivuesit e mjedrës, përveç që do të kenë qasje në tregun evropian do të kenë edhe një favor tjetër në plasmanin e produktit të tyre me çmim më të volitshëm./KosovaPress/