Ka filluar sot në Rahovec shënimi i 18- vjetorit të rënies së heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici.
Me këtë rast, janë bërë homazhe dhe vendosje të buqetave me lule, në vendin e rënies mbi fshatin Opterushë dhe tek varrezat e dëshmorëve në qytetin e Rahovecit dhe përmendoreve të Heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici.
Pas homazheve dhe vendosjes së buqetave me lule në sallën e Qendrës kulturore ” Mensur Zyberaj” në Rahovec, u mbajt akademia përkujtimore kushtuar rënies së dy heronjve ku ishin të pranishëm institucionet komunale në krye me kryetarin Idriz Vehapi, familjarët dhe bashkëluftëtarët, ku u përkujtuan edhe tre dëshmorë nga Vushtrria, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, poashtu të rënë bashkë me Tonin e Micin.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në fjalën e tij të mbajtur në akademi e mbajtur për veprën e dy heronjve të Kosovës, Tonin dhe Micin tha se ata janë krenaria dhe drejtimi se di duhet të mbrohet vendi.
“Jemi bashkë sot që të përkujtojmë dy trima, Xhelal Hajda- Tonin dhe Selajdin Mullabazi- Micin dhe dëshmorët nga Komuna e Vushtrrisë. Po i përkujtojmë këta dy trima edhe që ishin me karakter të fortë dhe inteligjencë të lartë, dhe këmbëngulës në idealin e tyre dhe kërkesën për të shijuar të drejtën elementare, e që është liria. Të gjitha këto cilësi që i përmenda, Toni dhe Mici i zbatonin në shumë beteja kundër okupatorit serb deri në ditën e rënies heroike. Ata janë krenaria jonë dhe drejtimi jonë se si duhet jetohet dhe mbrohet vendi. Siç kanë qenë bashkë deri në vdekje, ata janë bashkë edhe sot në të njëjtin oborr, ku dy shkolla të mesme në qytet mbajnë emrin e tyre, tha ai.
Në akademi kanë folur edhe Vajdin Berisha, kryetar i degës së OVL-së në Rahovec, si dhe Remzije Shehu- Cana, drejtoreshë e shkollës së mesme ” Xhelal Hajda- Toni”, ka njoftuar komuna e Rahovecit përmes një komunikate./KosovaPress/