Aktuale

Kuçi: Institucionet e drejtësisë nuk japin llogari, qytetarët t’i shfrytëzojnë mekanizmat

Ligji Anti-Mafia , mandati i EULEX-it , ndryshimet në Kodin Penal ishin temat për të cilat anëtaret e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane kanë kërkuar të dinë për proceset që kanë mbetur nga ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili po raporton në këtë komision për sistemin e drejtësisë ne përgjithësi.

Bislim Zogaj, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane , ka kërkuar të dijë nga ministri i Drejtësisë, nëse  duhet të japin përgjegjësi përfaqësuesit e misionit të EULEX-it në rastet kur mbyllen hetimet e për të cilat fillimisht janë  bërë pa argumente.

“Deri tash nuk ka dhënë askush përgjegjësi pse është vepruar në mungesë të argumenteve dhe në fund ka dal asgjë”, tha Zogaj.

 

Ndërsa Kuçi tha se asnjë institucion i drejtësisë nuk japin llogari, por që brenda tyre ka mekanizma që mund të shfrytëzohen.

“Sa i përket përgjegjësisë së EULEX-it ju e dini që po i quaj institucione vendore nuk japin llogari, e  të EULEX-it edhe më pak. Por brenda tyre ka mekanizma që njerëzit tanë mund t’i shfrytëzojnë….Nuk hy tani sa kanë qenë efektiv por mjetet juridike duhet të shfrytëzohen brenda  sistemit juridik”, tha Kuçi.

 

Gjatë raportimit Kuçi ka bërë të ditur se përmbaruesit privat janë nën monitorim dhe se në momentin  që vërtetohet që ka bërë shkelje do t’i merret licenca.  Ai po ashtu tha se gjitha plotësim ndryshimet e ligjeve dhe ligjet do të bëhet konform rregullave të Bashkimit Evropian.

“E para që ligjet të jenë sipas kritereve të BE-së dhe e dyta të jenë funksionale për vendin tonë. Plotësimi i tyre është duke ndodhur dhe do të bëhet me kohë.  Ne kemi tri lloje të respektimit të marrëveshjeve për ekstradim. Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe ligjit anti mafia . Unë besoj që në mandatin time në herën e parë  që e kemi bërë një ligj që e kemi quajtur ligj për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale. Mendoj ka qenë pozitiv….Ne e kemi bërë koncept dokumentin tash e kemi dërguar për miratim edhe në BE, e kemi dërgua edhe në Qeveri”, tha Kuçi.

Ndërsa sa i  përket ndryshimeve në Kodin Penal, Kuçi tha se janë disa çështje që janë vërejtur që mendon se duhet të plotësohet.