Kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, gjatë një vizite në SHBA, ku qëndroi edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, u pyet nga gazetarët, pse Bashkimi Europian nuk ka aprovuar heqjen e vizave për Kosovën?
Tajani tha se kjo është një çështje e vendeve anëtare.
Në konferencën e shtypit, presidenti i Parlamentit Europian, Antoni Tajani u pyet edhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve kundër presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodikut, në Bosnjë Hercegovinë.
Tajani u përgjigj, se “nuk është një vendim që e marrim ne” dhe kërkon që të punohet për të arritur një zgjidhje të mirë, një marrëveshje midis palëve të ndryshme.
Më tej Tajani theksoi, se: “ne duhet të jemi të matur dhe të punojmë për të gjetur një zgjidhje. Ne si Parlament Europian jemi të angazhuar për paqe, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mbrojtje të ligjeve. Sa i përket sanksioneve ne duhet të jemi të matur, në këto momente”.
Por presidenti i Parlamentit Europian e vlerësoi situatën në Bosnjë Hercegovinë më të komplikuar se në Kosovë.
Kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, e quan shumë të vështirë situatën në Shqipëri, ku ka filluar një “luftë civile”, (në thojza), midis qeverisë dhe opozitës.
Ai shpjegoi se kanë folur për situatën në Shqipëri: “sepse situata është shumë e vështirë. Është “luftë civile” (në thojza) midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”.