Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka folur fjalë të mira për Adem Demaçin, në ditën e varrimit të tij. Shefi i LDK’së ka thënë se Demaçi i duhej botës shqiptare. Ka cituar edhe një fjali të Rugovës, i cili e kishte quajtur Demaçin shkrimtar e humanist të madh.
Isa Mustafa ka shkruar një reagim në FB me plot fjalë të mira për Adem Demaçin, i cili është varrosur sot.
Ka thënë se Demaçi i duhej botës shqiptare meqë ishte i pathyeshëm dhe jokonformist.
“Kontributi dhe rezistenca e jashtëzakonshme e Adem Demaçit për liri gjatë okupimit serb, do të përkujtohet e do të nderohet brez pas brezi nga qytetarët e Kosovës, por edhe më gjerë”, ka shkruar Mustafa, në fb.
“Baca Adem ishte një disident i pathyeshëm dhe një jokonformist që i duhej botës shqiptare. Në këto çaste më bien ndër mend fjalët e Presidentit Rugova i cili thoshte se: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”. Andaj, Baca Adem, u prehsh i qetë në dheun e Kosovës së lirë, për të cilën sakrifikove aq shumë”, ka shtuar ai.
Reagimi i Mustafës vjen në ditën e varrimit të Demaçit. Në këtë ceremoni nuk mori pjesë asnjë prej zyrtarëve të LDK’së.
Deputeti Ramiz Kelmendi tha se ndoshta raportet historike të Demaçit kundër LDK’së dhe Rugovës mund të kenë ndikuar që mos të shkohej në varrim.
Adem Demaçi ka vdekur në moshën 82 vjecare.
Adem Demaçi është varrosur sot me nderime shtetërore në varrezat e Velanisë aty ku është edhe Ibrahim Rugova.
Sa ishte gjallë Demaçi, nuk kishte lenë organizim dhe paraqitje publike, pa kritikuar e akuzuar LDK’në, Ibrahim Rugovën dhe njerëzit përreth kësaj partie.
Në disa raste, Demaçi e ka konsideruar Rugovën si pijanec, ndërsa, njëri prej ushtarakëve të LDK’së i vrarë pasluftës, Tahir Zemaj, e kishte cilësuar si diler të drogës.
Edhe LDK nuk e ka kursyer Adem Demaçin nga akuzat.
Njëri prej njerëzve të afërt të LDK’së tashmë i ndjerë Mark Krasniqi pati thënë se Adem Demaçi do të bënte mirë sikur të vdiste kur kishte dalë nga burgu.
Demaçi ka qenë përkrahës dhe mbështetës i Hashim Thaçi posaçërisht dhe disa ish-luftëtarëve tjerë të afërt me PDK’në.