Aktuale

Kryetari i Krushës së Madhe tregon detaje për djegien e Kooperativës “Krusha”

Gjatë ditës së sotme zjarri ka kapluar hapësirat e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ndërsa dyshohet që zjarri është shkaktuar nga rryma.

E, si pasojë e kësaj 5 gra kanë pësuar lëndime të lehta prej tymit, shkruan FaktePlus.

Lajmin për këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti.

Hoti, ka thënë për FaktePlus se është djeg e gjithë kooperativa.

“Dyshimet e para janë prej rrymës, mirëpo ende nuk po e di saktë. Jemi duke u marrë me rehabilitimin e situatës e po ashtu edhe të grave se diku 5 gra kanë pësuar lëndime të lehta prej tymit kështu që dëmet janë të jashtëzakonshme, janë të mëdha, pra çdo gjë ka përfunduar”, ka thënë ai.

Hoti, ka deklaruar se janë duke e lokalizuar zjarrin dhe ende nuk kanë kërkuar ndihmë nga komuna.

“Nuk kemi kërkuar ende ndihmë nga komuna dhe as nga askush sepse vetëm sa ka ndodhë, jemi duke u marrë me fikjen e zjarrit. Besojmë që dikush do ta merr parasysh këtë dëm që ka ndodhë, me ju ndihmu këtyre grave dhe çfarëdo lloj ndihme nga kushdo që vjen do të ishte e mirëseardhur që këto gra të vazhdojnë me punën”, ka pohuar Hoti.

Ndërsa, i pyetur se sa gra kanë mbetur pa punë pas djegies së kooperativës, Hoti ka thënë se janë diku rreth 60 gra.

“Janë diku rreth 60 gra që punojnë në kooperativë, pra 60 kanë mbetur pa punë, ku pothuajse secila prej tyre ka nga pesë anëtarë në familje”, ka thënë ai.

Kooperativa “Krusha’, është themeluar në vitin 2010 nga Fahrije Hoti, ku në fillim ishin punësuar 20 të veja të luftës nga po ky fshat.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka thënë se i siguron përfaqësuesit e Kooperativës dhe punëtorët, se pas vlerësimit të dëmeve, do t’i qëndrojnë afër me të gjitha kapacitetet dhe do t’i dalin në krah Kooperativës, me qëllim që të lehtësojnë kthimin sa më të shpejtë të punës në këtë kompani të rëndësishme si vlerë e shtuar e ekonomisë së vendit./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli